Agjencia Për Mbështetjen e Vetqeverisjes Vendore

Në kuadër të projektit Open Dat’ALB, delegacioni i kompanisë franceze SPALLIAN, i kryesuar nga CEO Renaud Prouveur dhe përfaqësues të bashkëpunimit strategjik të institucionit, zhvilloi një vizitë zyrtare në Shqipëri nga data 9 deri më 11 mars 2026, me qëllim forcimin e bashkëpunimit institucional dhe avancimin e procesit të shkëmbimit dhe përdorimit të të dhënave në mbështetje të qeverisjes vendore të bazuar në evidencë.
Në takime morën pjesë Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, z. Ervin Demo, përfaqësues të Agjencisë për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore (AMVV), Agjencisë Kombëtare për Çështjet Vendore (NAMA), Komisionit për Reformën Administrative Territoriale, GIZ, INSTAT, si dhe Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri. Qëllimi i vizitës ishte forcimi i bashkëpunimit institucional, avancimi i kuadrit të ndarjes së të dhënave dhe konsolidimi i partneriteteve që mbështesin qeverisjen vendore të bazuar në evidencë.
Gjatë vizitës u prezantua versioni demonstrativ i platformës Open Dat’ALB, i cili përfshin vizualizime interaktive dhe mjete analitike të ndërtuara mbi indikatorët e performancës dhe të dhënat territoriale. Demo platforma u përdor si instrument pune për të diskutuar funksionalitetet ekzistuese, për të marrë sugjerime konkrete nga institucionet pjesëmarrëse dhe për të identifikuar hapat e ardhshëm për përmirësimin dhe zgjerimin e saj. Në këtë kuadër, u prezantua puna e deritanishme për integrimin e indikatorëve të Sistemit të Matjes së Performancës 2023–2024 dhe për shkëmbimin e të dhënave me institucionet përkatëse.
Misioni i projektit Open Dat’ALB konsiston në promovimin e përdorimit të të dhënave të hapura për të mbështetur planifikimin territorial, analizën e performancës dhe zhvillimin e politikave publike në nivel vendor. Vizita shërbeu për të forcuar koordinimin ndërinstitucional, për të rritur mbështetjen politike dhe për të konsoliduar hapat e mëtejshëm drejt ndërtimit të një platforme të qëndrueshme, transparente dhe të dobishme për administratën vendore dhe publikun .