Agjencia Për Mbështetjen e Vetqeverisjes Vendore

Agjencia për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore (AMVV) funksionon si institucion në varësi të Ministrit të Shtetit për Pushtetin Vendor, veprimtaria e së cilës ushtrohet sipas përcaktimeve të VKM-së nr. 227, datë 9.4.2024. “Për organizimin dhe funksionimin e agjencisë për mbështetjen e vetëqeverisjes vendore”.

Në një kontekst historik, Agjencia është krijuar për herë të parë me VKM nr. 83, datë 28.1.2015, “Për krijimin dhe funksionimin e agjencisë për zbatimin e reformës territoriale” me emërtimin fillestar ‘Agjencia për Zbatimin e Reformës Territoriale’ (AZRT) me fushë përgjegjësie të kufizuar në dhënien e ndihmës për garantimin e vazhdueshmërisë së funksioneve dhe shërbimeve publike, në nivel vendor, në kuadër të zbatimit të reformës administrativoterritoriale.

Misioni aktual i AMVV-së është garantimi në mënyrë të vazhdueshme i mbështetjes ndaj NJQV-ve, duke përmbushur me efikasitet dhe efiçencë përgjegjësi që lidhen kryesisht me:

    1. Mbështetjen e Ministrit të Shtetit për Pushtetin Vendor, në përgatitjen e mendimeve për projektakte ose dokument tjetër, që kanë të bëjnë me çështje që lidhen me njësitë e vetëqeverisjes vendore ose decentralizimin;
    2. Monitorimin e zbatimit të Strategjisë Ndërsektoriale për Decentralizimin dhe Qeverisjen Vendore dhe planin përkatës të veprimit;
    3. Informimin periodik të institucioneve publike, grupeve të interesit dhe qytetarëve për çështjet që lidhen me vetëqeverisjen vendore;
    4. Sigurimin e informacioneve lidhur me çështjet e vetëqeverisjes vendore, me qëllim koordinimin e institucioneve publike qendrore dhe vendore për zgjidhjen e problematikave të ndryshme, si dhe harton raporte e analiza periodike për këto çështje;
    5. Ofrimin e këshillimit ligjor ose teknik për njësitë e vetëqeverisjes vendore, vetëm ose në bashkëpunim me struktura të tjera, për ushtrimin ose përmirësimin e punës në ushtrimin e funksioneve të tyre etj.

Vendimi nr.227 date 9.4.2024 “Për Organizimin dhe Funksionimin e Agjencisë për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore”