Agjencia Për Mbështetjen e Vetqeverisjes Vendore

Qeverisja vendore në Shqipëri po forcohet gjithnjë e më shumë, duke u bërë më e orientuar drejt rezultateve dhe shërbimeve cilësore për qytetarët. Në këtë kuadër, kanë përfunduar trajnimet për Sistemin e Matjes së Performancës (SMP), të cilat kanë sjellë përmirësime të prekshme në mënyrën si bashkitë mbledhin dhe raportojnë të dhënat, duke rritur përgjegjësinë dhe cilësinë e shërbimeve që ofrojnë ndaj komuniteteve që shërbejnë.

Trajnimet u organizuan më 7-8 korrik dhe përfshinë pesë grupe që mbuluan qarqet Tiranë – Durrës – Dibër, Vlorë – Gjirokastër, Shkodër – Lezhë – Kukës, Berat – Fier dhe Elbasan – Korçë. Ato krijuan një hapësirë ku përfaqësuesit e bashkive diskutuan sfida të përbashkëta, ndanë përvoja dhe thelluan njohuritë mbi treguesit e SMP-së, të lidhur ngushtë me prioritetet kombëtare.

Gjatë këtij viti, SMP është pasuruar me tregues të rinj që matin progresin drejt standardeve të BE-së, duke ndikuar drejtpërdrejt në Grantin e Bazuar në Performancë, i cili shpërndan fonde shtesë për bashkitë me rezultate më të mira. Për herë të parë, integrimi evropian është trajtuar si një fushë më vete, me tregues që matin përfshirjen e bashkive në projekte si dhe përgatitjen për përthithjen e fondeve të BE-së. Po ashtu, janë bërë përmirësime në fushën e barazisë gjinore, me tregues të rinj për përfaqësimin dhe buxhetimin gjinor, si dhe në mirëqeverisje, duke nxitur transparencën, konsultimet publike dhe publikimin e dokumenteve strategjike.

U theksua gjithashtu rëndësia e planeve vendore për fusha si menaxhimi i mbetjeve, shërbimet sociale, arsimi, barazia gjinore, integriteti dhe planet për migracionin dhe diasporën, si elemente që sigurojnë zhvillim të qëndrueshëm dhe planifikim afatgjatë. Ndërkohë, u prezantuan ndryshime të tjera, si treguesi i ri për infrastrukturën parauniversitare në arsim, ai për funksionalitetin e kanaleve ujitëse në bujqësi, si dhe tregues të rinj për trajtimin e dhunës në familje dhe mbështetjen e personave me aftësi të kufizuara në shërbimet sociale.

Ky proces mbështetet nga një metodologji e re për sigurimin e cilësisë së të dhënave, e hartuar nga Agjencia për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore me ndihmën e projektit “Bashki të Forta”, që u mundëson bashkive të raportojnë të dhëna cilësore, të krahasueshme dhe të verifikueshme. Manuali i plotë mund të gjendet në linkun më poshtë: https://qeverisjavendore.gov.al/perfomanca-dhe-qeverisja-e-mire/raporte/smp-2025/.

Së fundmi, u nënvizua se SMP mbetet një mekanizëm kyç për të rritur cilësinë dhe efikasitetin e shërbimeve publike, për të forcuar llogaridhënien dhe për të bërë të mundur krahasimin kombëtar të performancës mes bashkive, duke nxitur konkurrencën pozitive dhe shpërndarjen e praktikave më të mira.