Agjencia Për Mbështetjen e Vetqeverisjes Vendore

Më 23 prill 2025, në Sallën Albanologjia të Pallatit të Kongreseve në Tiranë, u zhvillua mbledhja e Grupit Ndërinstitucional për Integrimin Evropian (GNPIE) për Kapitullin 22, që i dedikohet politikës rajonale dhe koordinimit të instrumenteve strukturore të BE-së. Kjo mbledhje mblodhi së bashku përfaqësues të institucioneve kyçe Shqiptare dhe partnerët ndërkombëtarë nga Delegacioni i BE-së në Shqipëri, projekti i asistencës teknike për Kapitullin 22 në Shqipëri, projekti i asistencës teknike EU4GoodGovernance dhe projekti Zviceran “Bashki të Forta”, për të diskutuar mbi ecurinë e procesit të integrimit të Shqipërisë në kuadër të këtij kapitulli dhe hapat që duhen ndjekur më tej.

Në fjalën e tij të hapjes së mbledhjes, Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor dhe njëherazi negociatori për Kapitullin 22, z. Arbjan Mazniku, theksoi se Shqipëria ndodhet në një moment vendimtar në rrugëtimin drejt Bashkimit Evropian, falë punës së jashtëzakonshme të bërë deri më tani nga secili prej institucioneve të pranishme për përgatitjen e pozicioneve negociuese dhe për të avancuar në procesin e integrimit.

Në vijim, z. Hubert Perr, Drejtor i Bashkëpunimit pranë Delegacionit të BE-së në Shqipëri, në fjalën e tij rikonfirmoi mbështetjen e vazhdueshme të BE-së përmes projekteve të asistencës teknike dhe Planit të Rritjes, nga i cili Shqipëria do të përfitojë një shumë të konsiderueshme prej 922 milionë euro. Ai theksoi gjithashtu që Shqipëria do të përfitojë edhe nga fonde të asistencës IPA për të mundësuar që procesi i integrimit dhe programimit të vazhdojë me sukses.

Zv/Ministri i Financave, z. Andi Memeti, i cili është emëruar së fundmi si Autoriteti Kombëtar i Autorizuar (NAO), theksoi rëndësinë e sigurimit të standardeve të larta të kontrollit financiar dhe administrimit të fondeve në përputhje me praktikat më të mira të BE-së.

Në vijim të mbledhjes, Sekretariati Teknik prezantoi Raportin e Shqyrtimit (Screening Report) e dërguar nga Komisioni Evropian për pjesën e Kapitullit 22, duke vënë në dukje progresin e arritur dhe çështjet që mbeten për t’u adresuar.

Ekspertet e asistencës teknike të BE-së, znj. Valeria Valeri dhe znj. Victoria Primhak, ndanë përditësimet mbi Planin e Veprimit si dhe raportet e vlerësimit vetjak të institucioneve përgjegjëse lidhur me përmbushjen e kushteve mundësuese për këtë kapitull. Pjesë e diskutimeve ishte edhe planifikimi i aktiviteteve të GNPIE për periudhën maj-korrik 2025, me qëllim intensifikimin e punës ndërinstitucionale në këtë fazë të rëndësishme të procesit.

Mbledhja shërbeu si një platformë e rëndësishme për të diskutuar progresin, sfidat dhe prioritetet që duhen adresuar në vijim. Të gjithë pjesëmarrësit u angazhuan për një bashkëpunim të ngushtë dhe për koordinim të qëndrueshëm ndërinstitucional për të siguruar që Shqipëria të përmbushë me sukses kërkesat e Kapitullit 22. Ky angazhim përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt anëtarësimit të vendit në Bashkimin Evropian dhe konsolidimit të qeverisjes së mirë dhe përdorimit efektiv të fondeve Evropiane.