Agjencia Për Mbështetjen e Vetqeverisjes Vendore

Gjatë datave 8-11 prill, pranë AMVV u zhvilluan 6 takime konsultuese me Grupin Teknik të Punës për Treguesit e Sistemit të Performancës, që do të përdoren për vitin 2024. Këto takime u organizuan përkatësisht për fushat e: Arsimit, Mirëqeverisjes, Bujqësisë, Mjedisit, Projekteve dhe Mbrojtjes Sociale.

FUSHA E ARSIMIT

Fokusi i takimit në fushën e Arsimit ishte përmirësimi i cilësisë së arsimit parashkollor në nivel vendor, nëpërmjet analizës së disa treguesve kyç që lidhen me aksesin dhe standardet e ofrimit të shërbimeve në çerdhe dhe kopshte.
Gjatë takimit u trajtuan tregues të rëndësishëm, duke u nënvizuar roli i tyre në matjen e cilësisë dhe progresit në këtë sektor. U sollën në vëmendje sfidat e vazhdueshme në sigurimin e të dhënave të sakta për fëmijët rezidentë sipas grupmoshës, mungesa e të dhënave nga sektori privat, si dhe nevoja për ndarjen e informacionit sipas kopshteve publike dhe private, me qëllim që të reflektohet më saktë realiteti në nivel vendor. Diskutimet ishin të hapura dhe gjithëpërfshirëse, me pjesëmarrjen aktive të ekspertëve dhe përfaqësuesve nga institucionet qendrore, të cilët kontribuan në përcaktimin e prioriteteve dhe hapave të nevojshëm për përmirësimin e mëtejshëm të sistemit të arsimit parashkollor në bashkitë e vendit.

FUSHA E BUJQËSISË

Fokusi i takimit në fushën e Bujqësisë kishte si qëllim forcimin e procesit të matjes dhe raportimit të shërbimeve në sektorin e ujitjes dhe kullimit në nivel vendor. Gjatë diskutimeve u aprovua në mënyrë unanime zëvendësimi i treguesit ekzistues për mirëmbajtjen e kanaleve ujitëse dhe kulluese me një tregues të ri, i cili vlerëson nivelin e funksionalitetit të tyre.
Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural propozoi gjithashtu shtimin e treguesve bazuar në një listë më të gjerë me tregues të disponuar nga vetë Ministria. AMVV kërkoi shpërndarjen e listës së plotë me 14 treguesit aktualë për shqyrtim nga ekspertët dhe u dakordësua që në vlerësimet e ardhshme të përfshihen edhe dy tregues të tjerë, të cilët lidhen me:
• ekzistencën e një plani zhvillimi për shërbimin;
• inventarin e sistemeve të ujitjes dhe kullimit që janë në përgjegjësi të njësive të vetëqeverisjes vendore.

FUSHA E MIRËQEVERISJES

Takimi në fushën e Mirëqeverisjes kishte në fokus diskutimin dhe vlerësimin e indikatorëve të transparencës në nivel vendor. Gjatë takimit, u theksua se lista e propozuar e treguesve të rinj do të kërkojë më shumë detajime sa i përket mënyrës së llogaritjes dhe verifikimit të vlefshmërisë së tyre. Gjithashtu, u bë e ditur se Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale ka publikuar në shkurt 2025 Raportin e Transparencës për vitin 2024. AMVV konfirmoi se Komisioneri do të ndajë listën e plotë të treguesve dhe rezultatet për të 61 bashkitë për vitin 2024.
Ekipi i ekspertëve do të shqyrtojë këtë raport dhe do të propozojë një listë të përpunuar me 3 tregues për t’u përfshirë në kuadrin e SMP 2024. Gjithashtu, u dakordësua që bashkitë nuk do të kenë detyrimin të raportojnë veçmas për këta tregues, pasi të dhënat janë tashmë të dorëzuara pranë Komisionerit dhe do të përdoren për ushtrimin e SMP.

FUSHA E PYJEVE, KULLOTAVE DHE MENAXHIMIT TË MBETJEVE

Takimi me fokus fushën e Pyjeve, Kullotave dhe Menaxhimit të Mbetjeve u zhvillua me qëllim përmirësimin e matjes dhe raportimit të shërbimeve në nivel vendor, në kuadër të SMP 2024. Diskutimet u përqendruan në vlerësimin e treguesve aktualë dhe në forcimin e qasjes së bashkive ndaj planifikimit dhe menaxhimit të qëndrueshëm të territorit. Treguesit e përdorur gjatë ushtrimit të vitit të kaluar u konsideruan të vlefshëm për të vijuar edhe në ciklin e vitit 2024, ndërsa u nënvizua rëndësia që planet për mbarështimin të pasohen me zbatim konkret dhe monitorim të vazhdueshëm.
Në fushën e Menaxhimit të Mbetjeve, diskutimet u përqendruan në përmirësimin e matjes së shërbimit dhe në harmonizimin e metodologjive të raportimit. Gjatë takimit u theksua rëndësia e ndarjes së të dhënave mbi mbulimin e shërbimit sipas zonave urbane dhe rurale, duke u bazuar në përshkrimin e pasaportës së shërbimit të përdorur në ciklin e SMP 2023 dhe në metodologjinë e INSTAT, me qëllim që të shmangen matjet e shumëfishta të të njëjtit tregues në mënyra të ndryshme. Treguesit e tjerë, të përdorur në ciklin e vitit 2023, do të mbeten të pandryshuar për vitin 2024.

FUSHA E PROJEKTEVE

Fokusi i takimit në fushën e Projekteve ishte rishikimi i treguesve të përdorur në raportin e SMP 2023, pasi këta tregues, ndryshe nga treguesit e tjerë të SMP-së, nuk kanë qenë të përfshirë në pasaportën zyrtare të treguesve të përcaktuar, por janë përfshirë në raport si një fushë shumë e rëndësishme që lidhet me përthithjen e projekteve nga Bashkimi Evropian dhe donatorë të tjerë të rëndësishëm.
Gjatë takimit u nënvizua rëndësia e një përkufizimi të qartë dhe gjithëpërfshirës të termit “projekt bashkiak”, duke marrë në konsideratë edhe aspekte që aktualisht nuk janë të përfshira në pasaportën përkatëse të shërbimit të Sistemit të Matjes së Performancës (SMP) për vitin 2023, por që janë mbledhur dhe raportuar nga AMVV. Gjithashtu, u diskutua nevoja për një përcaktim të qartë të fushës së zbatimit të kësaj kategorie — konkretisht, nëse duhet të përfshihen vetëm projektet e financuara nga Bashkimi Evropian, apo edhe ato të mbështetura nga donatorë të tjerë ndërkombëtarë apo nga fondet kombëtare. Një tjetër pikë diskutimi ishte metodologjia e matjes së të dhënave: nëse projektet duhet të regjistrohen në bazë të realizimit brenda një viti kalendarik apo në formë kumulative përgjatë disa viteve.
Në përfundim të diskutimeve, u propozua që të shtohet një fushë ose të paktën një tregues që lidhet me çështjen e migracionit. Më konkretisht, propozimi për treguesin:
“Zbatimi i planeve të ri-integrimit për migrantët e kthyer”. Lidhur me treguesit e projekteve, u ra dakord që ekspertët të rishikojnë propozimet e hedhura dhe të sjellin sugjerimet e tyre, ndërsa vendimi përfundimtar për treguesit do të merret në një moment të mëvonshëm.

FUSHA E SHËRBIMEVE SOCIALE

Takimi i fundit i mbajtur ishte ai i fushës së shërbimeve sociale, me fokus diskutimin e treguesve të mbrojtjes sociale dhe barazisë gjinore.
Gjatë takimit u ra dakord që të tre treguesit e përdorur në ushtrimin e SMP 2023 do të mbeten të vlefshëm edhe për ciklin e vitit 2024. Gjithashtu, u prezantuan dhe dy tregues të rinj të sugjeruar për t’u shtuar në SMP 2024. Treguesit kanë në fokus përgjigjen ndaj rasteve të raportuara të dhunës në familje, si dhe mbështetjen për viktimat.
Treguesit janë:
• “Numri gjithsej i rasteve të raportuara të dhunës në familje sipas gjinisë, moshës dhe llojit të dhunës”;
• “Përqindja e viktimave të dhunës në familje që marrin mbështetje ekonomike.”
Në lidhje me barazinë gjinore, u miratuan treguesit e ndarë nga treguesi i përdorur në SMP 2023, si dhe treguesi i ri i propozuar lidhur me:
“Përqindjen e buxhetit vendor të alokuar për barazinë gjinore në secilin program buxhetor vendor.” Diskutimet ishin të hapura dhe gjithëpërfshirëse, me pjesëmarrje aktive nga ekspertët dhe përfaqësuesit e Ministrisë, të cilët kontribuan në përcaktimin e hapave të nevojshëm për përmirësimin e shërbimeve sociale dhe avancimin e barazisë gjinore në nivel vendor.