Agjencia Për Mbështetjen e Vetqeverisjes Vendore

Gjatë periudhës 14–30 korrik 2025, Agjencia për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore zhvilloi takime në çdo bashki të vendit, me qëllim ndjekjen nga afër të procesit të mbledhjes dhe raportimit të të dhënave sipas metodologjisë së Sistemit të Matjes së Performancës. Këto takime patën karakter asistues dhe verifikues, duke mundësuar ofrimin e mbështetjes teknike në terren, kontrollin e saktësisë së të dhënave dhe garantimin e validimit të tyre në përputhje me kërkesat dhe standardet e përcaktuara në Manualin e SMP.

Për bashkitë që nuk patën mundësi të marrin pjesë në fazën e parë të trajnimeve rajonale të organizuara më datat 7–8 korrik 2025, Agjencia për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore u angazhua në mënyrë të drejtpërdrejtë për realizimin e takimeve individuale në terren, duke siguruar të njëjtën mbështetje dhe trajnim si për njësitë e tjera të vetëqeverisjes vendore. Gjatë fazës së dytë të trajnimeve, janë zhvilluar takimet me bashkitë Shkodër, Finiq, Kavajë, Dropull, Këlcyrë, Memaliaj, Tiranë, Vau i Dejës, Lezhë dhe Tropojë gjatë periudhës (16-30 Korrik 2025). Takimet u realizuan në ambientet e bashkive përkatëse, me pjesëmarrjen e Koordinatorëve të Performancës dhe përfaqësuesve të tjerë të përcaktuar sipas urdhrit të brendshëm të kryetarëve të bashkive. Trajnimet ishin të përmbledhura dhe të përshtatura mbi të njëjtën përmbajtje dhe strukturë si ato të zhvilluara më 7–8 korrik, duke garantuar një trajtim të barabartë dhe cilësor të të gjithë njësive vendore në kuadër të zbatimit të Sistemit të Matjes së Performancës.

Në vijim të trajnimeve dhe asistencës në terren, Agjencia për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore ka mbajtur një komunikim të vazhdueshëm me Koordinatorët e Performancës në secilën bashki, me qëllim ndjekjen dhe mbështetjen e procesit të raportimit të të dhënave në funksion të SMP. Ky komunikim ka shërbyer për të adresuar në kohë çdo paqartësi, për të garantuar saktësinë e informacionit të raportuar dhe për të siguruar një proces sa më të qartë dhe të unifikuar në të gjitha bashkitë. Gjithashtu, janë shpërndarë udhëzime shtesë mbi përdorimin e formularit elektronik në Google Form dhe mbi hapat administrativë pas përfundimit të raportimit, duke mundësuar mbështetje teknike të vazhduar në çdo fazë të procesit.