Agjencia Për Mbështetjen e Vetqeverisjes Vendore

Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, z. Ervin Demo, zhvilloi një takim me Ambasadoren e Francës, znj. Catherine Suard, dhe përfaqësuesit e kompanisë Spallian, në kuadër të projektit inovativ Dat’Alb, i cili pritet të zbatohet së shpejti në disa bashki të vendit. Gjatë takimit u diskutua mbi progresin e deritanishëm të projektit, mundësitë për shkëmbim të të dhënave ndërmjet institucioneve si dhe përfshirjen e bashkive në fazën pilot të platformës Dat’Alb. Në fokus ishte gjithashtu edhe krijimi i partneriteteve të reja mes bashkive Shqiptare dhe atyre Franceze, me synim shkëmbimin e eksperiencave dhe praktikave më të mira në fushën e qeverisjes vendore. Projekti Dat’Alb synon të forcojë kapacitetet e administratës vendore për mbledhjen, analizimin dhe përdorimin efektiv të të dhënave në proceset e planifikimit dhe vendimmarrjes, duke kontribuar në modernizimin e institucioneve, rritjen e transparencës dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimeve publike për qytetarët.
Ky bashkëpunim ndërmjet Ministrisë së Shtetit për Pushtetin Vendor, Ambasadës Franceze dhe Kompanisë Spallian përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt forcimit të qeverisjes vendore dhe përdorimit të inovacionit në shërbim të zhvillimit të qëndrueshëm lokal.