Agjencia Për Mbështetjen e Vetqeverisjes Vendore

Shqipëria regjistron 560,000 vizitorë të huaj në muajin janar të vitit 2025, duke shënuar një rritje të ndjeshme prej 14.5% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ky rezultat është pothuajse tre herë më i lartë krahasuar me vitin 2021, duke reflektuar një zhvillim të qëndrueshëm dhe të gjithanshëm të industrisë së turizmit në vend.

Ky trend rritjeje është një tregues i qartë që Shqipëria ka arritur të kalojë fazën e turizmit sezonal dhe ka konsoliduar një model të ri të turizmit të qëndrueshëm. Vizitorët e huaj tani janë tërhequr nga një gamë shumë më e gjerë mundësish turistike që përfshijnë jo vetëm plazhet e njohura, por edhe destinacione të tjera si bujtinat, shtigjet malore, qytetet historike, muzeumet dhe kështjellat. Rritja e numrit të vizitorëve po shoqërohet me një diversifikim të turizmit, ku Shqipëria po bëhet gjithnjë e më shumë një vend i njohur për turizmin e natyrës, kulturës dhe aventurës. Kjo ka kontribuar gjithashtu në zgjatjen e sezonit turistik, i cili tashmë është më i pranishëm gjatë të gjithë vitit dhe jo vetëm në muajt e verës.

Në katër vitet e ardhshme, Shqipëria ka të ngjarë të bëhet lider i industrisë së turizmit në Ballkan, duke ofruar mundësi të reja për zhvillimin e qëndrueshëm dhe duke u pozicionuar si një destinacion kryesor për turistët ndërkombëtarë. Kjo do të sjellë jo vetëm rritje ekonomike, por gjithashtu do të kontribuojë në forcimin e vendit si një vend i pazbuluar dhe shumë tërheqës për të gjithë ata që kërkojnë një eksperiencë të veçantë.