Agjencia Për Mbështetjen e Vetqeverisjes Vendore

Në takimin maratonë të zhvilluar më 11 Korrik 2025 në Durrës, me pjesëmarrjen e Kryeministrit, Sh.T.Z.Edi Rama, Ministër Shteti për Pushtetin Vendor, Z. Arbjan Mazniku, Ministër i Financave, Z. Petrit Malaj, Ministër i Shtetit dhe Kryenegociator, Znj. Majlinda Dhuka, Ministër i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Znj. Anila Denaj , Drejtor i ASHK, Znj. Lorena Gonxhja, dhe 61 kryetarëve të bashkive, u trajtuan temat më thelbësore që lidhen me sfidat dhe angazhimet e pushtetit vendor në funksion të vizionit “Shqipëria 2030”. Me një axhendë të pasur dhe gjithëpërfshirëse, diskutimet u fokusuan në performancën e bashkive, procesin e legalizimeve, ligjin e ri për bashkëpronësinë, rolin e njësive vendore në integrimin evropian dhe zhvillimin e bujqësisë si sektor prioritar.

Gjatë takimit u theksua rëndësia e Grantit të Bazuar në Performancë për rritjen e efikasitetit dhe përgjegjshmërisë së bashkive u analizua gjendja e financave vendore dhe treguesit e performancës, si dhe u diskutua forcimi i kapaciteteve vendore. Po ashtu, u prezantua Paketa e Maleve me mundësitë që ofron për zhvillimin ekonomik dhe u zhvillua një diskutim mbi këtë temë. Vëmendje iu kushtua dhe procesit të legalizimeve, ku u theksua nevoja për bashkëpunim ndërinstitucional, si dhe ligjit të ri për bashkëpronësinë, që synon forcimin e rolit të bashkive në administrimin e pronës së përbashkët.

Takimi më pas vijoi me diskutime për rolin e pushtetit vendor në procesin e Integrimit Evropian, mundësitë e financimit përmes fondeve të kohezionit dhe nevoja për bashkëpunim me strukturat qendrore. Takimi u mbyll me diskutimin për reformat në bujqësi, mbështetjen financiare për bizneset agrare dhe potencialin e sektorit për zhvillimin lokal.

Takimi u përmbyll me një mesazh pozitiv nga Kryeministri, duke theksuar nevojën për të ruajtur frymën e bashkëpunimit, seriozitetin dhe vizionin e përbashkët në funksion të reformave që i japin më shumë fuqi dhe përgjegjësi pushtetit vendor në rrugëtimin drejt Shqipërisë 2030.