Agjencia Për Mbështetjen e Vetqeverisjes Vendore

Në kuadër të Samiti IV i Diasporës Shqiptare, Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, z.Ervin Demo mori pjesë në Panelin 8, ku u zhvillua një diskutim i rëndësishëm mbi rolin e diasporës në zhvillimin lokal dhe territorial. Gjatë këtij paneli, Ministri ndau tryezën e diskutimit me përfaqësues të lartë të institucioneve qendrore dhe vendore nga rajoni dhe diaspora, përfshirë Elbert Krasniqi, Fatmir Limani, si dhe drejtues të njësive vendore si Emiriana Sako, Qemajl Aliu dhe Ardita Sinani. Në diskutim kontribuan gjithashtu përfaqësues të diasporës dhe institucioneve ndërkombëtare, ndër të cilët Luiza Duraki, Vera Mjeku dhe Adelajda Roka. Diskutimi u fokusua në potencialin që diaspora shqiptare përfaqëson për zhvillimin e qëndrueshëm të bashkive, duke theksuar rolin e saj si një partner strategjik në nxitjen e investimeve, transferimin e njohurive dhe përvojës, si dhe në fuqizimin e ekonomive lokale dhe sektorit të turizmit. Në fjalën e tij, Ministri theksoi se diaspora shqiptare nuk është vetëm një lidhje me rrënjët, por një faktor aktiv zhvillimi, i cili mund të kontribuojë drejtpërdrejt në përmirësimin e cilësisë së jetës në komunitetet vendore dhe në ndërtimin e një të ardhmeje më të qëndrueshme për territorin. Angazhimi i përbashkët ndërmjet institucioneve dhe shqiptarëve kudo që jetojnë mbetet thelbësor për forcimin e zhvillimit vendor dhe për avancimin e proceseve integruese të vendit .