Agjencia Për Mbështetjen e Vetqeverisjes Vendore

Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, z.Ervin Demo, mori pjesë në Dialogun e Nivelit të Lartë “Një agjendë e re për administratën e së ardhmes”, i zhvilluar në kuadër të hapjes së Edicionit të Tretë të Javës së Administratës Publike. Gjatë panelit të diskutimit, së bashku me Ministren e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, znj. Adea Pirdeni, u trajtua roli i administratës publike në ndërtimin e institucioneve moderne, profesionale dhe më pranë qytetarëve, si një element kyç në procesin e integrimit evropian të Shqipërisë. Në fjalën e tij, ministri theksoi se avancimi drejt Bashkimit Evropian kërkon një administratë vendore të aftë për t’iu përgjigjur standardeve dhe sfidave të reja, përmes investimit në kapitalin njerëzor, rritjes së profesionalizmit dhe përfshirjes së brezit të ri në institucionet publike. Gjithashtu, u nënvizua se pushteti vendor ofron mundësi konkrete për ndërtimin e një karriere me ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin e komuniteteve dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimeve për qytetarët, duke kontribuar në ndërtimin e administratës së së ardhmes dhe të Shqipërisë evropiane .