Agjencia Për Mbështetjen e Vetqeverisjes Vendore

Drejtoresha e INSTAT-it, Elsa Dhuli, prezantoi publikimin e të dhënave të Censit të Popullsisë dhe Banesave në nivel qarku dhe bashkie për vitin 2023, duke theksuar rëndësinë e tyre për hartimin e politikave ekonomike, sociale dhe infrastrukturore. Baza ligjore përcaktohen nga Ligji Nr.17/2018 për Statistikat Zyrtare, Ligji 140/2020 për Censin e Popullsisë dhe Banesave dhe Ligji Nr.9887 për Mbrojtjen e të Dhënave Personale. Ky është Censi i tretë I publikuar pas vitit 1990, i cili evidenton rënien e popullsisë në 2,402,113 banorë, një ulje prej 420 mijë personash krahasuar me 2011, kryesisht si pasojë e emigracionit. Tirana mbetet qarku më i populluar me 31,6% të popullsisë totale. Shkalla e alfabetizmit për popullsinë 15+ vjeç është 97,7%, ndërsa përqindja e femrave me arsim të lartë ka arritur 55,7%. Rreth 6,5% e popullsisë 5+ vjeç kanë aftësi të kufizuara, kryesisht mbi 65 vjeç. Numri i Njësive Ekonomike Familjare (NjEF) ka arritur në 755,950, me madhësi mesatare 3,2 anëtarë, ndërsa 82,5% janë pronarë të banesave ku jetojnë. Gjithashtu, 11,4% e NjEF përdorin panele diellore, një rritje prej 8,7 pikë përqindje nga 2011. Të dhënat do të shërbejnë për projekte dhe politika që synojnë një të ardhme më të qëndrueshme dhe të barabartë.