Agjencia Për Mbështetjen e Vetqeverisjes Vendore

Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, z.Ervin Demo, mori pjesë në prezantimin e programit “EU4Municipalities II” në Durrës, së bashku me Kryeministrin, z.Edi Rama, Ambasadorin e Bashkimit Europian në Shqipëri Silvio Gonzato, Zëvendës Ambasadorin e Gjermanisë Thilo Schroeter, partnerë ndërkombëtarë dhe përfaqësues të pushtetit vendor. Programi strategjik me vlerë 11 milionë euro, i mbështetur nga Bashkimi Europian, synon forcimin e pushtetit vendor dhe përshpejtimin e procesit të integrimit europian të Shqipërisë, përmes mbështetjes konkrete për bashkitë në të gjithë vendin. “EU4Municipalities II” do të kontribuojë në përmirësimin e infrastrukturës dhe shërbimeve publike, modernizimin e qeverisjes vendore, si dhe rritjen e kapaciteteve të bashkive për përthithjen dhe menaxhimin e fondeve të Bashkimit Europian. Gjatë aktivitetit u theksua rëndësia e bashkëpunimit ndërmjet qeverisë, pushtetit vendor dhe partnerëve europianë për avancimin e reformave dhe afrimin e standardeve europiane në çdo bashki të vendit, me synim zhvillimin e qëndrueshëm dhe përmirësimin e cilësisë së jetës për qytetarët .