Agjencia Për Mbështetjen e Vetqeverisjes Vendore

Në Komisionin e Çështjeve Ligjore të Kuvendit, u prezantua projekt buxheti 2025 më i madh ndarë ndonjëherë për pushtetin vendor, me një vlerë që arrin mbi 1 miliard euro.

Në kuadër të përkushtimit për ofrimin e shërbimeve cilësore dhe dinjitoze për çdo qytetar, Buxheti 2025 synon të fuqizojë pushtetin vendor përmes një rritjeje prej 17.1% të transfertës së pakushtëzuar për bashkitë. Me një vlerë mbi 1 miliard euro, ky është buxheti më i madh i ndarë ndonjëherë për pushtetin vendor, duke përfaqësuar 3.4% të PBB-së, një trefishim krahasuar me vitin 2015. Kjo masë historike mbështet performancën e bashkive në mbledhjen e të ardhurave dhe synon të sigurojë që rritja e pagave të profesionistëve në nivel lokal të mos ndikojë negativisht në investimet e pritshme nga qytetarët. Në të njëjtën kohë, përkushtimi për mirëqeverisje lokale dëshmon vëmendjen ndaj autonomisë dhe zhvillimit të komuniteteve, duke përmirësuar shërbimet dhe investimet në përputhje me standardet më të larta. Ky progres është rezultat i reformës territoriale të vitit 2015, e cila ka fuqizuar pushtetin vendor me më shumë të ardhura dhe kapacitete për të përmbushur pritshmëritë e qytetarëve.