Agjencia Për Mbështetjen e Vetqeverisjes Vendore

Më 17 shkurt 2025, Qendra Shqiptare për Kërkime Ekonomike (ACER) organizoi një punëtori me synimin për të forcuar bashkëpunimin ndërmjet organizatave të shoqërisë civile (OSHC) dhe institucioneve vendore për të përmirësuar qeverisjen në Partneritetet Publiko-Private (PPP)

Ky forum u zhvillua në bashkëpunim me përfaqësues nga Ministria e Financave, ATRAKO, AMVV, Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) dhe OSHC të ndryshme. Diskutimet u fokusuan në sfidat aktuale dhe mundësitë për qeverisje më efektive të PPP-ve në Shqipëri, duke synuar një qasje më transparente dhe të përgjegjshme, në përputhje me interesat kombëtare dhe direktivat e BE-së.

Pikat Kryesore të Diskutimit:

  • Kuadri Ligjor dhe Institucional: Z.Emiliano Gjika nga ATRAKO trajtoi harmonizimin e kuadrit ligjor të PPP-ve me Direktivën 2014/23/BE, duke evidentuar mangësitë në ndarjen e rrezikut dhe transparencën. U theksua nevoja për forcimin e kapaciteteve monitoruese të ATRAKO-s;
  • Rasti i Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës (TIA): Ky koncesion u analizua si një model i suksesshëm PPP-je, me fokus në angazhimet investuese, rinegocimin e kushteve dhe sfidat e transparencës;
  • Roli i Shoqërisë Civile dhe Medias në Transparencë: OSHC-të kërkuan rritjen e konsultimeve publike dhe monitorimin e kontratave, ndërsa përfaqësuesit e medias vunë në dukje mungesën e një regjistri të plotë të kontratave PPP.

Raporti i fundit i SMP 2023 prezantuar nga Drejtuesja e Sektorit të Statistikës dhe Performancës në Agjencinë për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore, identifikon disa sektorë prioritarë:

  • Menaxhimi i mbetjeve: Vetëm 68% e kostove të menaxhimit mbulohen nga tarifat e shërbimit, duke krijuar një nevojë për modele më efikase për trajtimin e mbetjeve urbane;
  • Sektori arsimor: Bashkitë me popullsi të lartë po përballen me sfida në ndërtimin dhe mirëmbajtjen e infrastrukturës për çerdhe dhe kopshte;
  • Shërbimet sociale: Financimi i kufizuar është një pengesë kryesore për ndërtimin e qendrave sociale për të moshuarit dhe fëmijët në nevojë;
  • Furnizimi me ujë të pijshëm dhe kanalizimet: Vetëm 57.8% e popullsisë rurale ka akses në ujë të pijshëm, ndërsa vetëm 14.5% është e lidhur me rrjetin e kanalizimeve.

Diskutimet nxorën në pah boshllëqet institucionale në transparencë, llogaridhënie financiare dhe angazhim qytetar, si dhe domosdoshmërinë e forcimit të bashkëpunimit ndërsektorial.

Në mbyllje të forumit, pjesëmarrësit theksuan nevojën për reforma të mëtejshme për të siguruar që PPP-të të sjellin përfitime afatgjata për komunitetet lokale. Transparenca, llogaridhënia dhe menaxhimi i rrezikut u vlerësuan si shtyllat kryesore për suksesin e këtyre partneriteteve, me qëllim garantimin e një balanci mes interesit publik dhe përshirjes së kapitalit privat.