Agjencia Për Mbështetjen e Vetqeverisjes Vendore

Pas mbledhjes së fundit të Këshillit të Ministrave, Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, z. Ervin Demo, bëri me dije zgjerimin e mëtejshëm të “Paketës së Maleve”, përmes miratimit të zonave prioritare për katër bashki të reja në vend. Me këtë vendimmarrje, programi shtrihet tashmë në 40 bashki në të gjithë territorin, duke arritur në një total prej 350 zonash prioritare të miratuara. Këto zona krijojnë mundësi konkrete për nxitjen e investimeve, zhvillimin e ekonomisë rurale dhe rigjallërimin e komuniteteve lokale, veçanërisht në zonat malore. Gjatë komunikimit të tij, Ministri theksoi se interesi për aplikime vijon të rritet në mënyrë të qëndrueshme, si nga banorët vendas, ashtu edhe nga shqiptarët që jetojnë jashtë vendit dhe që synojnë të investojnë në vendlindje. Kjo tendencë reflekton besimin në këtë instrument zhvillimi dhe potencialin që ai ofron për krijimin e mundësive të reja ekonomike dhe sociale në nivel vendor .