Agjencia Për Mbështetjen e Vetqeverisjes Vendore

Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, z. Ervin Demo, mori pjesë sot në aktivitetin e zhvilluar me Kryeministrin dhe Ministren e Financave dhe Ekonomisë, znj. Delina Ibrahimaj, së bashku me kryetarët e 61 bashkive të vendit, ku u prezantua nisma e rëndësishme kombëtare “Paketa e Maleve”.
Kjo nismë synon të kthejë zonat malore në qendra të reja zhvillimi ekonomik, turizmi dhe bujqësie, duke hapur rrugë të reja për zhvillimin e qëndrueshëm të komuniteteve lokale dhe forcimin e pushtetit vendor.
Në fazën e parë të zbatimit, bashkitë Tropojë, Elbasan, Përmet, Skrapar dhe Belsh janë përzgjedhur si modele të para të zhvillimit, ku pritet të realizohen mbi 10 milionë euro investime dhe të krijohen qindra vende të reja pune për banorët e zonave përkatëse.
Në fjalën e tij, Ministri Demo theksoi se “Paketa e Maleve” përfaqëson një hap konkret drejt fuqizimit të qeverisjes vendore, rritjes së potencialeve ekonomike të territorit dhe përmirësimit të jetesës në zonat malore, duke vënë në qendër bashkëpunimin mes qeverisë qendrore dhe pushtetit vendor.
Kjo nismë është një dëshmi e angazhimit për të ndërtuar një zhvillim të balancuar në të gjithë territorin e vendit, duke vlerësuar burimet natyrore, traditat dhe energjinë e komuniteteve tona.