Agjencia Për Mbështetjen e Vetqeverisjes Vendore

Më datë 13.10.2026, u zhvillua mbledhja e nëngrupit të Grupit Ndërinstitucional të Punës për Integrimin Evropian (GNPIE) për Kapitullin 22 “Politika Rajonale dhe Koordinimi i Instrumenteve Strukturore”, i përbërë nga përfaqësues të institucioneve përgjegjëse për përmbushjen e Piketave Mbyllëse (Closing Benchmarks) të këtij kapitulli, të cilat janë Ministria e Punëve të Brendshme/ Agjencia për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore, Ministria e Financave, Agjencia Shtetërore për Programimin Strategjik dhe Koordinimin e Ndihmës (SASPAC) dhe Ministri i Shtetit për Administratën Publike (MAPA).

Mbledhja u hap nga Drejtoresha e Përgjithshme e Agjencisë për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore dhe Kryetare e Sekretariatit Teknik të Kapitullit 22, Znj. Anxhela Paparizo, e cila përshëndeti pjesëmarrësit dhe vijoi me prezantimin e tyre, si të pranishëm fizikisht, ashtu edhe të atyre të lidhur përmes platformës online.

Ajo theksoi rëndësinë e bashkëpunimit dhe koordinimit ndërinstitucional, me synim përmbushjen në kohë dhe me sukses të detyrimeve përkatëse, si dhe avancimin e procesit drejt përmbushjes së objektivave të integrimit evropian. Gjatë fjalës së saj, znj. Paparizo shprehu gatishmërinë e saj dhe të stafit të AMVV-së për të ofruar mbështetjen e nevojshme për institucionet pjesëmarrëse, përfshirë asistencën dhe informacionin plotësues lidhur me rekomandimet, detyrat dhe angazhimet që rrjedhin nga Kapitulli 22.

Gjatë mbledhjes u diskutua mbi planin e punës për Kapitullin 22, në kuadër të koordinimit të angazhimeve dhe detyrimeve të institucioneve përgjegjëse për përmbushjen e objektivave të përcaktuara për këtë kapitull.

Në përfundim të takimit, plani i punës iu shpërnda përfaqësuesve të të gjitha institucioneve pjesëmarrëse, me qëllim njohjen me përmbajtjen e tij dhe vijimin e bashkëpunimit ndërinstitucional për realizimin e detyrave përkatëse.