Agjencia Për Mbështetjen e Vetqeverisjes Vendore

Më 17 tetor 2025, në ambientet e Zyrave të AMVV-së, u zhvillua mbledhja e Komisionit të Vlerësimit të Aplikimeve mbi GBP 2025. Gjatë këtij takimi, komisioni shqyrtoi dhe vlerësoi një sërë planesh vendore të dorëzuara nga bashkitë pjesëmarrëse. Mbledhja përfshiu paraqitjen e dokumentacionit përkatës nga AMVV, vlerësimin e treguesve. Takimi u karakterizua nga një proces i rregullt që synonte garantimin e një vlerësimi objektiv dhe të drejtë të aplikimeve në kuadër të GBP 2025.
Takimet u zhvilluan në disa sesione dhe u moderuan nga anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Aplikimeve (KVA), si dhe nga përfaqësues të Sekretariatit Teknik të AMVV-së.
Sesioni i parë ishte i fokusuar në Planet Vendore të Menaxhimit të Mbetjeve, ku u prezantua relacioni shpjegues me vlerësimet nga Ministria e Mjedisit, Institucioni përgjegjës për fushën e menaxhimit të mbetjeve, për bashkitë që kishin plotesinë në dokumentacionin e dërguar. Komisioni doli në një vlerësim paraprak duke u bazuar në relacionin e Ministrisë.
Në vijim, u zhvillua sesioni për Planin Vendor të Barazisë Gjinore. Gjatë këtij sesioni u prezantua raporti për verifikimin paraprak të aplikimeve të paraqitura nga bashkitë. Në total, 37 bashki kanë aplikuar për Planin Vendor të Barazisë Gjinore. Sesioni i tretë iu dedikua Planit Vendor të Arsimit Parauniversitar, me fokus në analizimin e verifikimeve paraprake të aplikimeve. Në këtë kuadër, 44 bashki kanë aplikuar për Planin Vendor të Arsimit Parauniversitar. Takimi përmbyllës iu dedikua Planit Vendor të Integritetit, ku u prezantuan verifikimet paraprake të aplikimeve dhe u diskutua rëndësia e transparencës dhe integritetit institucional në nivel vendor. Komisioni propozoi që të zhvillohet një takim tjetër për miratimin e rezultateve finale. 33 bashki kanë aplikuar për Planin Vendor të Integritetit. Sekretariati Teknik i AMVV-së do të publikojë në faqen zyrtare vendimet përfundimtare, duke shpallur bashkitë fituese.