Agjencia Për Mbështetjen e Vetqeverisjes Vendore

Më 2 Qershor, u zhvillua mbledhja e Këshillit Konsulativ, me pjesëmarrjen e bashkëkryetarëve të Këshillit Konsultativ z.Arbjan Mazniku dhe z.Aldrin Dalipi dhe pjesëmarrjen e veçantë të znj.Mirela Kumbaro, Ministër i Turizmit dhe Mjedisit, si dhe përfaqësues të qeverisë qendrore e pushtetit vendor.

Ndër temat e diskuatuara ishin konsultimi i Task-Forcën mbi masat për mbarëvajtjen e sezonit turistik 2025, ku u diskutuan prioritetet për mbarëvajtjen e sezonit turistik veror 2025, duke u fokusuar në organizimin efikas të punës mes institucioneve për të garantuar një bregdet të pastër, mirëmenaxhim të plazheve, si edhe siguri me standarde të larta në të gjithë territorin. Një nga pikat kryesore ishte dyfishimi i sipërfaqes së plazheve publike, çka rrit përgjegjësinë e bashkive për menaxhimin e territorit. Për këtë arsye, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit do të mbështesë bashkitë bregdetare me operatorë shtesë pastrimi në kuadër të nismës “Plazhe të Pastra”. Bashkëpunimi dhe komunikimi i pandërprerë ndërinstitucional do të jetë çelësi i përbashkët për të siguruar një sezon turistik me standarde dinjitoze për qytetarët dhe vizitorët.

Më tej, z. Stiljan Llavdaniti, Drejtor i Përgjithshëm i Komanduar, AMVV paraqiti dy projektvendime që lidhen me ngritjen e Komitetit Kombëtar për Bashkëpunimin Territorial Evropian dhe metodologjinë e krijimit të partneritetit për menaxhimin e fondeve të kohezionit të BE-së në Shqipëri.

Diskutimin e vijoji z. Shkëlqim Hajdari, Inspektor i Përgjithshëm, duke prezantuar projektvendimet që rregullojnë tërësisht organizimin dhe funksionimin e sistemit të inspektimeve në vend, përfshirë metodologjinë e dënimeve, programimin e inspektimeve dhe përzgjedhjen e Inspektorit të Përgjithshëm.

Ndërsa znj. Elvana Ramaj, Drejtor, Drejtoria e Ekonomisë Qarkulluese, paraqiti projektvendimin për disa shtesa dhe ndryshime në Vendimin nr. 575, datë 24.6.2015 të Këshillit të Ministrave , për miratimin e kërkesave për menaxhimin e mbetjeve inerte.

Më tej z. Ylli Hoxha prezantoi projektvendimin për miratimin e tarifave të përdorimit të kullotave dhe livadheve për qëllime të ndryshme si kullotje, kositje, turizëm, sport, shëndetësi dhe energji të rinovueshme. Në fund u dhanë komente dhe diskutime nga palët e tjera.