Agjencia Për Mbështetjen e Vetqeverisjes Vendore

Në bashkinë e Elbasanit u zhvillua aktivitet informues i dedikuar mbështetjes së fermerëve, në kuadër të nismës së qeverisë për fuqizimin e bujqësisë dhe agroturizmit. Ky takim, i zhvilluar me mbështetjen nga Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor dhe institucioneve vendore, kishte për qëllim prezantimin e skemës së re të investimeve, e cila synon të lehtësojë qasjen e fermerëve në financim dhe të nxisë zhvillimin e prodhimit bujqësor.
Gjatë takimit, pjesëmarrësit u njohën me përfitimet konkrete që ofron kjo skemë, ndër të cilat:
• 50% grant për investimet në bujqësi dhe agroturizëm;
• Kredi të buta me interes vetëm 2%;
• Garanci sovrane deri në 70% të vlerës së kolateralit.
Ky program i mbështetjes ekonomike për fermerët hap mundësi reale për zhvillimin e sektorit bujqësor dhe modernizimin e praktikave të punës, përmes projekteve që variojnë nga ndërtimi i serrave, mbjelljet e reja, instalimi i sistemeve moderne të ujitjes, deri tek investimet në agroturizëm.
Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor theksoi rëndësinë e kësaj nisme si një hap konkret drejt fuqizimit ekonomik të komuniteteve rurale, duke vlerësuar bashkëpunimin e ngushtë mes pushtetit qendror dhe vendor për zhvillimin e qëndrueshëm të bujqësisë.
Ekspertët e pranishëm ndanë informacion të detajuar mbi procedurat e aplikimit pranë Agjencisë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR), dokumentacionin e nevojshëm dhe kriteret që duhet të plotësojnë fermerët për të përfituar nga kjo mundësi.
Takimi u konceptua si një hap praktik për të afruar fermerët me programin e mbështetjes, duke i orientuar drejt investimeve që rrisin prodhimin, cilësinë dhe fitimin, me afat aplikimi deri më 30 shtator 2025.
Ky aktivitet është një shembull i bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Pushtetit Vendor, institucioneve vendore dhe komunitetit të fermerëve, me qëllim zhvillimin e qëndrueshëm dhe rritjen e konkurrueshmërisë së bujqësisë në qarkun e Elbasanit.