Agjencia Për Mbështetjen e Vetqeverisjes Vendore

Me vendim të Këshillit të Ministrave është hapur rruga për krijimin e Akademisë së Pushtetit Vendor, si një strukturë e re në kuadër të Agjencisë për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore (AMVV). Një iniciativë e re dhe historike për administratën vendore në Shqipëri.

Për herë të parë, bashkitë e vendit do të kenë mundësinë të themelojnë një institucion të përbashkët, i cili do të ketë si mision ofrimin e trajnimeve të vazhdueshme dhe të strukturuara për stafin e tyre administrativ. Kjo akademi do të shërbejë si një platformë profesionale për ngritjen e kapaciteteve dhe aftësive të administratës vendore, duke kontribuar drejtpërdrejt në përmirësimin e cilësisë së shërbimeve publike që u ofrohen qytetarëve.

Për të mbështetur funksionimin e Akademisë gjatë fazës fillestare, qeveria qendrore do të mbulojë 50% të kostove operacionale për tre vitet e para të punës së saj. Ky bashkëfinancim do të mundësojë një nisje të qëndrueshme dhe me ndikim të menjëhershëm për sa i përket zhvillimit profesional të administratës vendore.

Krijimi i Akademisë së Pushtetit Vendor përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt forcimit të decentralizimit dhe rritjes së kapaciteteve institucionale të bashkive, në funksion të përmbushjes së nevojave dhe pritshmërive të qytetarëve shqiptarë.