Agjencia Për Mbështetjen e Vetqeverisjes Vendore

Më 25 nëntor u zhvillua Konferenca Kombëtare për Sistemin e Matjes së Performancës së Bashkive, një aktivitet i rëndësishëm që vuri në fokus rezultatet, sfidat dhe drejtimet e reja të zhvillimit të qeverisjes vendore në Shqipëri. Në aktivitet morën pjesë përfaqësues të institucioneve qendrore, drejtues bashkish, partnerë ndërkombëtarë dhe organizata të shoqërisë civile. Në fjalën e tij, Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor prezantoi gjetjet kryesore të raportit të performancës së bashkive për vitin 2024, duke theksuar përmirësimet e dukshme në menaxhimin financiar dhe ofrimin e shërbimeve publike. Sipas raportit, të ardhurat nga burimet e veta të bashkive kanë arritur në 44.4 miliardë lekë, një rritje e konsiderueshme krahasuar me vitin 2015. Po ashtu, detyrimet e prapambetura janë reduktuar ndjeshëm, duke reflektuar një disiplinë më të mirë fiskale. Gjatë prezantimit u nënvizuan përmirësimet në sektorë si arsimi parashkollor, ujitja-kullimi dhe menaxhimi i mbetjeve, me një progres të dukshëm në mbulimin e kostove të shërbimeve dhe cilësinë e tyre. Një tjetër element kyç ishte roli i Grantit të Bazuar në Performancë, i cili u cilësua si instrument transformues për fuqizimin e kapaciteteve të pushtetit vendor dhe përgatitjen e tij për të përthithur fonde europiane. Aktualisht, 61 bashki kanë tashmë dokumente strategjike të përditësuara që u mundësojnë aplikimin për projekte të reja zhvillimore. Në konferencë u prezantua gjithashtu nisma për krijimin e një sistemi të integruar të të dhënave vendore në bashkëpunim me INSTAT dhe institucione të tjera, i cili do të shërbejë si bazë për vendimmarrje të orientuar nga të dhënat dhe për rritjen e transparencës. Partnerët ndërkombëtarë nga Zvicra dhe Suedia vlerësuan angazhimin e Shqipërisë për forcimin e decentralizimit dhe theksuan rëndësinë e vazhdimit të politikave të financimit mbi bazë performance, si një mekanizëm që nxit rritjen e kapaciteteve dhe përgjegjshmërinë e bashkive. Konferenca përmbylli me thirrjen për të vijuar bashkëpunimin ndërinstitucional dhe forcimin e sistemeve të matjes, si parakusht për një qeverisje vendore më efikase, më transparente dhe më të orientuar drejt qytetarit.


Sistemi i Matjes së Performancës të Bashkive 2024


Granti i Bazuar në Performancë