Agjencia Për Mbështetjen e Vetqeverisjes Vendore

Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku, ka theksuar rëndësinë e vlerësimit dhe shpërblimit të performancës së bashkive në mënyrë të drejtë dhe transparente, si një mjet për të nxitur përmirësimin e shërbimeve dhe përgjegjshmërisë ndaj qytetarëve. Në këtë kuadër, në bashkëpunim me Ministrinë e Financave, është nënshkruar Udhëzimi i përbashkët Nr. 01, datë 11.07.2025, i cili përcakton kriteret, procedurat, treguesit dhe shpërndarjen e fondit të Grantit të Bazuar në Performancë për bashkitë për vitin 2025.

Ky udhëzim synon të sigurojë një mekanizëm të qartë, objektiv dhe të verifikueshëm për shpërblimin financiar të bashkive. Granti i Performancës shpërndahet mbi bazën e 10 treguesve, nga të cilët 3 tregues lidhen drejtpërdrejtë me Sistemin e Matjes së Performancës. Udhëzimi përcakton metodologjinë e llogaritjes së grantit, rolet e institucioneve të përfshira dhe hapat që çojnë në shpërndarjen e fondit ndarë në dy komponentë, përkatësisht në shumë fikse dhe shtesë duke e lidhur performancën me mbështetjen financiare në mënyrë të drejtë dhe transparente.

Agjencia për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore luan një rol thelbësor në këtë proces, duke vepruar si sekretariat teknik dhe përfaqësues i Ministrit të Shtetit për Pushtetin Vendor. AMVV është përgjegjëse për organizimin e vlerësimit të aplikimeve në kuadër të GBP, dhe zbatimin e të gjitha procedurave administrative të përcaktuara në udhëzim. Ajo publikon thirrjen për aplikim në faqen zyrtare, njofton me shkrim të gjitha bashkitë dhe ofron asistencë të vazhdueshme gjatë procesit të aplikimit, përmes seancave informuese, udhëzimeve praktike dhe dokumentacionit mbështetës.

Ky udhëzim përforcon bindjen se një administratë që punon mirë për qytetarët meriton më shumë mbështetje – jo vetëm për të thelluar rezultatet pozitive, por edhe për të ndërtuar një kulturë pune të bazuar në efikasitet, transparencë dhe orientim drejt shërbimit publik.

Nën seksionin Performanca, bashkitë kanë në dispozicion një sërë instrumentesh mbështetës të posaçëm për procesin e Grantit të Bazuar në Performancë. Ky seksion përfshin baza ligjore, shembuj tip dhe materiale udhëzuese, si dhe informacion të detajuar mbi ecurinë e procesit, të përditësuar në kohë reale, për të lehtësuar orientimin dhe për të garantuar një zbatim të saktë dhe transparent të kërkesave të udhëzimit dhe procesit në tërësi.