Agjencia Për Mbështetjen e Vetqeverisjes Vendore

Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Z. Mazniku, së bashku me Ministren e Ekonomisë, Znj. Delina Ibrahimaj, dhe Kreun e Fondit Shqiptar të Zhvillimit, Z. Dritan Agolli, zhvilluan një diskutim të rëndësishëm mbi të ardhmen teknologjike të qyteteve shqiptare dhe ndikimin e inovacionit në përmirësimin e jetës së qytetarëve.

Një nga momentet kryesore të diskutimit ishte prezantimi i Qendrës për Inovacion dhe Teknologji, “Nest”, e cila ka si qëllim krijimin e një hapësire inovative për qytetarët dhe mundësi zhvillimi për ide dhe projekte të reja. “Nest” do të shërbejë si një platformë që ndërthur aktivitetet e startup-eve, universiteteve dhe sektorit privat, duke promovuar një ekosistem bashkëpunues që stimulon kreativitetin dhe zhvillimin e zgjidhjeve praktike për sfidat bashkëkohore.

Kjo nismë tregon angazhimin për mbështetje ndaj sipërmarrësve, të rinjve dhe profesionistëve që do të kontribuojnë në zhvillimin teknologjik dhe ekonomik të vendit, duke sjellë ndryshime pozitive dhe përmirësime të prekshme në jetën e qytetarëve.