Agjencia Për Mbështetjen e Vetqeverisjes Vendore

Në kuadër të përmirësimit të shërbimeve publike dhe avancimit të reformave në pushtetin vendor, Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, mori pjesë në takimin e Grupit të Punës për Riinxhinierizimin dhe Digjitalizimin e Shërbimeve të Qeverisjes Vendore, ku u diskutua mbi hapat konkretë drejt transformimit të mënyrës së ofrimit të shërbimeve për qytetarët. Gjatë takimit, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të Bankës Botërore, përfshirë Massimiliano Paolucci dhe Simon Carl O’Meally, si dhe Drejtorit të Përgjithshëm të AKSHI-t, Igli Tafa, u theksua rëndësia e digjitalizimit si një reformë kyçe për rritjen e efikasitetit, uljen e kostove administrative dhe përmirësimin e aksesit të qytetarëve në shërbime. Në këtë kuadër, bashkitë Tiranë, Korçë dhe Përmet do të jenë pjesë e fazës fillestare të zbatimit të këtij procesi, duke kontribuar në ndërtimin e një modeli të qëndrueshëm dhe të zbatueshëm për të gjitha bashkitë në vend. Ky pilotim synon të krijojë praktika të unifikuara dhe standarde të reja në ofrimin e shërbimeve vendore. Me mbështetjen e Bankës Botërore dhe në bashkëpunim të ngushtë me AKSHI-n dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore, ky proces pritet të kontribuojë në ndërtimin e një sistemi shërbimesh më të thjeshtë, më transparent dhe më cilësor, në funksion të qytetarëve dhe zhvillimit të qëndrueshëm vendor .