Agjencia Për Mbështetjen e Vetqeverisjes Vendore

Më 30 qershor 2025, Agjencia për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore mori pjesë në aktivitetin për “Dialog Kombëtar”, në kuadër të iniciativës “Merr pjesë, Fol, Vendos!”, me qëllim rritjen e pjesëmarrjes së grave në proceset e buxhetimit pjesëmarrës në 15 bashki të vendit gjatë periudhës 2022–2025.

Aktiviteti u zhvillua nga Qendra për Zhvillimin e Komunitetit “Sot për të Ardhmen”, me mbështetjen e UN Women Albania, si pjesë e Programit të Kombeve të Bashkuara “Askush të mos mbetet pas” (No One Left Behind, LNB), të financuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim. Dialogu kishte në qendër prezantimin e pesë raporteve mbikëqyrëse të realizuara nga organizata të shoqërisë civile, të cilat evidentuan sfidat dhe mangësitë në ofrimin e shërbimeve sociale gjithëpërfshirëse për gratë dhe vajzat, veçanërisht ato të grupeve të margjinalizuara.

Gjatë aktivitetit, organizatat partnere prezantuan gjetjet nga bashkitë Maliq, Konispol, Roskovec, Vorë dhe Divjakë, duke sjellë në vëmendje raste konkrete të nënbuxhetimit të shërbimeve si mbrojtja sociale, kujdesi për gratë me aftësi të kufizuara, të moshuarat, viktimat e dhunës dhe komunitetet rome e egjiptiane. Raportet theksuan nevojën për rritje të transparencës në procesin e buxhetimit vendor, përfshirjen e perspektivës gjinore në të gjitha fazat e planifikimit dhe forcimin e bashkëpunimit ndërmjet bashkive dhe shoqërisë civile. Në pjesën e dytë të dialogut, AMVV, dhe përfaqësues të bashkive pjesëmarrëse reflektuan mbi rekomandimet dhe ndanë përpjekjet konkrete për përmirësimin e situatës në nivel vendor.

Aktiviteti u përmbyll me diskutime të hapura dhe shkëmbim rekomandimesh ndërmjet institucioneve qendrore, vendorëve dhe aktorëve të shoqërisë civile. Dialogu shërbeu si një hap i rëndësishëm për të forcuar rolin mbikëqyrës të rrjetit PRISMA dhe për të nxitur përgjegjshmërinë institucionale në drejtim të shërbimeve publike më të drejta dhe gjithëpërfshirëse.