Agjencia Për Mbështetjen e Vetqeverisjes Vendore

Në kuadër të angazhimeve të vazhdueshme për forcimin e marrëdhënieve ndërmjet Shqipërisë dhe Francës, u zhvillua një takim i rëndësishëm me Z. Arbjan Mazniku, Ministër i Shtetit për Pushtetin Vendor dhe Z. Thierry Repentin, Kryetar i Bashkisë së Chambéry, njëherazi ish-Ministër për Çështjet Evropiane i Francës. Ky takim shënoi një hap të rëndësishëm në drejtim të thellimit të bashkëpunimit mes dy vendeve, përmes një qasjeje më të afërt në nivel vendor, veçanërisht përmes bashkëpunimit të bashkive në Shqipëri në fushat e rinisë, infrastrukturës dhe kulturës.

Ky bashkëpunim sjell më shumë mundësi për financime evropiane dhe përvoja konkrete zhvillimi, duke u kthyer në një motor real për përparimin dhe integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Ai përfaqëson një model të ri të afrimit konkret të Shqipërisë me vlerat dhe standardet evropiane, duke e transformuar këtë proces nga një objektiv politik në një realitet të prekshëm në jetën e përditshme të komuniteteve, përmes ndikimit të drejtpërdrejtë në nivel lokal dhe përfshirjes aktive të qytetarëve në rrugën drejt Bashkimit Evropian.