Agjencia Për Mbështetjen e Vetqeverisjes Vendore

Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, z. Ervin Demo, zhvilloi sot një konferencë për shtyp me gazetarët, ku foli mbi vitin 2026 si një moment kyç për të ardhmen e bashkive, reformat dhe instrumentet e reja për fuqizimin institucional, financiar dhe teknologjik të pushtetit vendor.
Deklarata e plotë e Ministrit Demo:
2026 është një vit shumë i rëndësishëm për pushtetin vendor në tërësi dhe për shkak të shumë nismave që janë transformuese. Është një vit udhëkryq, për sa i përket së ardhmes së bashkive në vend. Janë disa procese madhore, të cilat janë duke u mbivendosur. Procesi i integrimit është një ndër to, por aq më shumë nisma të tjera, por, në të njëjtën kohë nuk duhet të harrojmë që 2026 është një vit ku procesi i reformës territoriale ka filluar dhe një lloj mënyre është “kapaku”, i cili do të përfshijë të gjitha ato nisma, për të garantuar një shtrat të shëndetshëm të zhvillimit të bashkive, në vitet, apo dekadat që do të kemi përpara.
Në qoftë se unë do të përdorja një fjalë kyçe për sa i përket nismave, të cilat janë ndërmarrë gjatë këtyre muajve, fuqizimi i bashkive do të ishte fjala kyçe, e cila në vetvete përfshin si rritjen e kapaciteteve dhe fuqizimin institucional të bashkive me nisma konkrete, siç mund të jetë Akademia e Pushtetit Vendor, e cila në vetvete është një moment historik për bashkitë në vend. Është hera e parë që bashkitë do të kenë një strukturë të fokusuar në nevojat specifike që bashkitë kanë. Është një strukturë, e cila ka një zotërim të drejtpërdrejtë nga ana e bashkive, sepse bashkitë që në fillim të Akademisë financojnë 50% të kostove të Akademisë dhe 50% financohet nga Qeveria Qendrore.
Po ashtu, akademia në vetvete do të jetë një platformë, ku bashkitë ndajnë me njëra tjetrën praktikat më të mira që ato kanë konsoliduar në territor, për sa i përket ballafaqimit me sfidat që territori normalisht krijon dita-ditës dhe që janë shumë diverse nga bashkia në bashki. Në territor, ne kemi bashki, të cilat kanë sfida jo të vogla në përmbushjen e disa prej funksioneve që ato kanë, po çdo bashki ka një performancë të admirueshme, për sa i përket disa prej funksioneve që ato kanë, dhe thjesht ndarja e eksperiencës dhe krijimi i një platforme të qëndrueshme, për sa i përket modeleve më të mira që bashkitë mund të ndajnë me njëra-tjetrën, e bën Akademinë një instrument shumë të fuqishëm për pushtetin vendor.
Në të njëjtën kohë, vetvetiu Akademia do të kthehet në një “hub”, ku të gjithë partnerët, donatorët që ne kemi dhe që punojnë ngushtësisht me bashkitë, jo thjesht do ta mbështesin, siç e kanë mbështetur qartazi, deri tani, duke filluar me projektin e Bashkive të Forta, por jo vetëm. Do të doja të përmendja ndihmën që na kanë dhënë partnerët suedezë e zviceranë, por, në të njëjtën kohë, Akademia do të ofrojë një instrument të qëndrueshëm për cilëndo asistencë që ne do të kemi në vend për autoritete lokale.
Për pak ditë, ose brenda dhjetëditëshit të parë të muajit shkurt fillojnë trajnimet e para nëpërmjet Akademisë, kapacitetet janë duke u ngritur, struktura është duke u konsoliduar. Është marrë miratimi i të gjithë kornizës rregullative ligjore që Akademia duhet të ketë për të funksionuar. Do të jetë një sukses i jashtëzakonshëm, dhe, aq më tepër, do të jetë një instrument që shumë prej sfidave që ne do të flasim më pas, bashkitë do ta kenë aty në krah për të udhëtuar bashkë me Akademinë, në mënyrë që ne të kemi atë çfarë të gjithë duam, shërbime më të mira në territor.
Po ashtu, 2025 ka qenë një vit i rëndësishëm, për sa i përket Grantit të Performancës, që ka qenë hera e parë që është përdorur në nivel vendor. Granti i Performancës ka qenë i financuar 50% nga partnerët tanë, nga donatorët, nga Ambasadat Zvicerane, por, po ashtu edhe nga buxheti i shtetit. Janë rreth 4 milionë euro, të cilat i janë alokuar bashkive në matjen e treguesve të qartë, përgjegjësisht rregullativë, për sa i përket funksionimit të bashkive. Ajo çfarë ne duam të bëjmë në 2026 është ta thellojmë konceptin e Grantit të Performancës. Ne besojmë që bashkitë, të cilat performojnë më mirë, të cilat ofrojnë shërbime më të mira me qytetarët, duhet të kenë mundësinë që të financohen më shumë dhe vetvetiu Granti i Performancës të kthehet në një instrument motivues edhe për vetë bashkitë, për të ofruar shërbime më të mira për qytetarët.
Ky vit do të jetë një vit shumë i rëndësishëm për Grantin e Performancës. Ne do të kalojmë nga vlerësimi i treguesve përgjithësisht të ftohtë, që janë në procese rregullative, në matjen specifike të shërbimeve që ofrohen në territor dhe funksione të veçanta që bashkitë kanë.
Në të njëjtën kohë, 2026 do të jetë vit i rëndësishëm, sepse ne besojmë që teknologjia do të luajë një rol shumë të rëndësishëm për fuqizimin institucional të bashkive. Ne kemi dy nisma shumë të mëdha. AFMIS është një sistem, i cili, në bashkëpunim me Ministrinë e Financave, ku, standarde dhe praktika të konsoliduara, unike në nivel kombëtar, uniformiteti i garantuar, ku garantohet transparenca, planifikimi më i qartë, por, mbi të gjitha, ky sistem do të ofrojë mundësinë që ne të kemi një matje më reale të treguesve. Dhe, në qoftë se përmenda Grantin e Performancës më parë, këto sisteme do të na japin mundësinë që me kalimin e kohës të kemi më tepër instrumente në dorë, për ta bërë financimin më të targetuar, të bazuar edhe në kapacitetet menaxheriale që bashkitë kanë, sepse AFMIS shkon përtej financave. Është një sistem menaxhimi i asaj çfarë normalisht është një ndër prioritetet kryesore të bashkive, që është menaxhimi i burimeve financiare, mbi të gjitha, për të ofruar më tepër investime në territor, për të mbajtur shërbimet në cilësi më të madhe, por edhe për të ndjekur dhe për të kuptuar se si bashkia gjeneron të ardhura. Kështu, AFMIS do të jetë një risi shumë pozitive.
Në të njëjtën kohë, ne kemi një projekt shumë të madh, që do të jetë transformues për atë që qytetari përjeton në marrjen e shërbimeve lokale, që është digjitalizimi i shërbimeve lokale. Futja e shërbimeve lokale në një platformë, siç kemi shërbimet qendrore që ofrohen, që është e-Albania, të kemi një portal unik për të gjitha shërbimet që qytetari kërkon, qoftë në nivel qendror të qeverisjes, po ashtu edhe në nivel lokal. Edhe ky është një projekt i cili tashmë ka filluar, është i mbështetur nga Banka Botërore, dhe implementimi i këtij projekti kërkon një punë shumë të konsiderueshme dhe një proaktivitet të të gjitha bashkive në implementimin e projektit. Bashkitë janë aktorët e parë të interesuar për të krijuar një shtrat të qëndrueshëm digjitalizimi në nivel lokal, në mënyrë që ne të kemi mundësi që vit pas viti të rritemi dhe të rrisim edhe nivelin dhe diversitetin e shërbimeve që ofrohen për qytetarët.
Në qoftë se flasim për fuqizimin financiar dhe zhvillimin ekonomik, është miratuar edhe akti normativ për vitin 2025, ku bashkitë janë financuar me 1.2 miliardë lekë, rreth dymbëdhjetë milionë euro, të cilat janë fokusuar në uljen e detyrimeve të prapambetura që bashkitë kanë.
Qëndrueshmëria financiare e bashkive është shumë e rëndësishme, jo thjesht për planifikimin e tyre në afatmesëm, por mbi të gjitha, për t’i krijuar hapësira buxhetore më të mëdha, për të përmirësuar shërbimet lokale dhe kjo është një ndihmë shumë e rëndësishme për bashkitë, dhe jam shumë i lumtur, që kjo është finalizuar dhe bashkitë do ta marrin këtë ndihmë për të përballuar në mënyrën më të qëndrueshme sfidën e tyre, sidomos me detyrimet e prapambetura.
Në të njëjtën kohë, për vitin 2026, bashkitë për herë të parë do të administrojnë në nivel vendor mbi 1 miliard euro, ku përfshihen të ardhurat e gjeneruara nga vetë autoritetet lokale, por po ashtu edhe transfertat nga buxheti i shtetit, duke marrë në konsideratë edhe investimet që bëhen në territor, që përfitues janë bashkitë, por që bëhen nga Ministria e Bujqësisë apo nga ministritë e linjës.
Përfitimi i bashkive për vitin 2026 do të jetë 1.2 miliardë euro, që është një shumë, e cila deri pak vitesh më parë ka qenë e paperceptueshme, që në nivel vendor ne të kishim këtë lloj mbështetje financiare. Detyrimisht, kjo kërkon më shumë përgjegjësi dhe më shumë fokus nga ana e bashkive për t’u ngritur në nivelin dhe atë çfarë qytetarët vetë kërkojnë nga bashkitë në vend.
Të gjithë jemi koshientë që çdo bashki në territor ka sfidat e veta, të cilat mund të jenë edhe specifike, në bazë të madhësisë së bashkive, të situatës financiare që bashkitë kanë, të demografisë që ka territori, të shtrirjes gjeografike që mund të ketë vetë territori, por, dita ditës, jemi duke krijuar kushtet e duhura dhe duke krijuar institucionet e duhura në territor, që t’u përgjigjen më së miri atyre problematikave që ne hasim dita ditës.
Një tjetër lajm i mirë për vitin 2026 është fondi prej 20 milionë eurosh, i cili është një grant i ardhur nga Emiratet e Bashkuara, ku Qeveria ka vendosur që ky do të fokusohet për të fuqizuar bashkitë në territor. Është një ndihmë e konsiderueshme, e cila do të fokusohet përgjithësisht në mjete, në logjistikë, e cila do t’i shërbejë infrastrukturës bujqësore, por, duke iu referuar edhe situatave të fundit që ne kemi kaluar, si rrjedhojë e përmbytjeve, kjo do të jetë një ndihmë e madhe për bashkitë, në mënyrë që të jenë më të mirëpërgatitura dhe të parandalojnë deri aty ku mundet, atë çfarë mund të sjellë natyra, dhe aq më tepër, të kenë dhe mundësitë për t’iu përgjigjur momenteve kur ne ballafaqohemi me situata emergjente. Kështu, ky do të jetë një grant 20 milionë euro, që do të jetë i fokusuar vetëm në logjistikë për bashkitë, në mjetet e rënda, përgjithësisht, për të mirëmbajtur infrastrukturën e tyre në tërësi, bujqësore, por edhe ato që kanë të bëjnë me problematikat që sjellin emergjencat.
Për sa i përket fuqizimit financiar dhe zhvillimit ekonomik, koncepti i bashkive sipërmarrëse është shumë i rëndësishëm. Unë kam qenë vetë kryetar bashkie dhe duhet ta pranoj, që, në territor, bashkitë janë një aktor institucional thelbësor për menaxhimin e territorit, dhe kjo është e pakontestueshme, por, qartazi roli i tyre si aktor ekonomik nuk është i ndjeshëm në territor.
Kur flasim për rolin e bashkive, nga pikëpamja e përfshirjes së tyre në zinxhirët ekonomikë, është i rëndësishëm jo thjesht për t’i dhënë impulse zhvillimi sektorëve të caktuar, ku bashkitë mund të bëhen pjesë, por, mbi të gjitha, për të garantuar të ardhura më shumë për bashkitë. Viti 2026, edhe në këtë drejtim, qoftë nga pikëpamja rregullative, ne jemi duke bashkëpunuar ngushtësisht me Ministrinë e Ekonomisë, e cila e shtyn përpara konceptin sipërmarrës të administratës, duke përfshirë teknologjinë. Tashmë ne do të bëjmë pjesë edhe këtë nocion në nivel vendor, ku bashkitë realisht mund të jenë aktorë të zhvillimit ekonomik, ku të garantojnë më shumë të ardhura për buxhetet e bashkive, por, mbi të gjitha, për të qenë menaxherë të mirë të aseteve, të cilat bashkitë kanë në dispozicion.
Bashkitë kanë asete të jashtëzakonshme në inventarin e tyre të pronave, por jo vetëm. Zgjimi i këtij potenciali është shumë i rëndësishëm për të krijuar zhvillim ekonomik lokal dhe për të garantuar të ardhura më të larta për buxhetet e bashkive, në mënyrë që të ofrojnë shërbime më të mira dhe të përballojnë edhe sfidat që territori sjell në mënyrë më të qenësishme.
Nga pikëpamja e sistemit rregullativ, në vitin 2026, siç ju jeni vënë në dijeni, edhe nga Ministria e Brendshme, ne kemi tre nisma ligjore, që janë Policia Bashkiake, IMT, dhe Ligji për Prefektin. Është një paketë ligjore, që do të krijojë një bashkëpunim më të ngushtë, më të mirë dhe më të koordinuar të institucioneve në nivel vendor. Kur flasim sidomos për Policinë Bashkiake, qartazi kompetencat e autoriteteve lokale jo vetëm do të respektohen, por ato do të bëhen më të qarta. Ajo çfarë ne kërkojmë me ndërhyrjen ligjore, në rastin e Policisë Bashkiake, është për të krijuar standarde kombëtare, ku ne të garantojmë, që ata, të cilët bëhen pjesë e kësaj trupe shumë të rëndësishme, të plotësojnë të gjitha standardet në çdo cep të Shqipërisë. Jo çdo bashki të ketë standarde të ndryshme, për sa i përket procesit të rekrutimit, të trajnimeve në vazhdim, dhe kjo nismë do të jetë shumë pozitive, për sa i përket standardizimit të trupës së Policisë Bashkiake, dhe për të krijuar edhe një sistem unik, për sa i përket rekrutimit në nivel vendor, për të garantuar transparencën dhe meritokracinë, ku çdo individ, i cili ka dëshirë të bëhet pjesë e Policisë Bashkiake, bëhet pjesë e një procesi transparent, siç kemi rastin që ne tashmë kemi përfituar shumë eksperiencë, duke filluar qoftë në nivel vendor, me portalin për sa i përket edukatoreve, në sistemin parashkollor, apo me mësuesit, infermierët e të tjerë me radhë.
Ajo çfarë jemi duke rregulluar ngushtësisht me Ministrinë e Brendshme është që të garantojmë që, edhe kapacitetet formuese që ka Policia e Shtetit, siç mund të jetë Akademia, të jenë aty, për të garantuar një lloj zhvillimi në kohë të vetë burimeve njerëzore që Policitë Bashkiake kanë në territor.
Procesi i integrimit është një proces, i cili do të sjellë shumë sfida, për të gjithë aktorët dhe sektorët në gjithë vendin, por, për bashkitë, procesi i negociatave, agjenda ambicioze që ne kemi, që deri në 2027 të përmbyllim kapitujt, në vetvete do të sjellë një dallgë të madhe rregullative, e cila duhet përkthyer me standarde të reja në nivel vendor dhe me përgjegjësi të reja.
Qeveria Qendrore është këtu për t’i mbështetur bashkitë aty ku duhet, edhe me financat, të cilat janë të domosdoshme për të arritur këto standarde. Në të njëjtën kohë, ato çfarë unë përmenda më parë, siç mund të jetë Akademia, por edhe nismat e tjera, janë pararojë, ose një përgatitje që ne po bëjmë, që, kur kjo dallgë të vijë, bashkitë të jenë gati që të ballafaqohen me këto sfida dhe të arrijnë që të përthithin jo thjesht përgjegjësitë, por të jenë gati nesër, që të jenë konkurruese, për sa i përket financimit që do të vijë në momentin që ne jemi pjesë e Bashkimit Evropian. Ne kemi nxjerrë mësime të qarta nga të gjitha vendet, të cilat kanë aderuar në Bashkimin Evropian dhe vitet e para qartazi është konstatuar një mungesë kapaciteti, sidomos në nivel vendor, të përthithjes së fondeve që vijnë nga mbështetja financiare, nga fondet e kohezionit, që është kapitulli 22, nga Bashkimi Evropian.
Kjo përgjithësisht ka të bëjë me parapërgatitjen që këto institucione duhet të kenë, momentin që ne bëhemi gati. Duket sikur ka shumë kohë përpara, por procesi është shumë kompleks, dhe bashkitë kanë karakteristikat e tyre, të cilat e bëjnë ndonjëherë procesin edhe më kompleks. Patjetër, sfidat e burimeve njerëzore janë aty, ne jemi të gjithë koshientë, prandaj ne mundohemi, që, me instrumentet e reja që kemi, duke garantuar nëpërmjet Akademisë fuqizimin e burimeve njerëzore dhe përgatitjen e tyre më të mirë për sfida, siç mund të jetë procesi i integrimit, por jo vetëm. Edhe Granti i Performancës, për të bërë të mundur transformimin institucional, që bashkitë të jenë gati për atë çfarë ne presim.
Po ashtu, në qoftë se ne flasim për futjen e teknologjisë në nivel vendor, ne krijojmë një shtrat të shëndetshëm, që, realisht, bashkitë, nëse do të duan të performojnë, nëse do të duan që të kenë shërbime më të mira, nëse do të duan që realisht të jenë aty përpara, për sa i përket ballafaqimit me sfidat që Shqipëria ballafaqohet, ky shtrat e bën të mundur përgatitjen e tyre.
Dhe, “elefanti në dhomë” është reforma territoriale. Kur flasim për reformën territoriale, në qoftë se unë përmenda instrumente të ndryshme, ose nisma të ndryshme, për sa i përket fuqizimit të bashkive, në nivel institucional, në nivel financiar, krijimin e kushteve të duhura që ato të performojnë, reforma territoriale është një instrument jashtëzakonisht i rëndësishëm për të garantuar që, bashkitë, që në nisje, të kenë asetet në dispozicion, të kenë kapacitetet e duhura, dhe potencialin e mundshëm nga pikëpamja e rritjes ekonomike, të jenë të gatshme që t’i përballojnë të gjitha këto sfida.
Reforma territoriale, siç ju e keni ndjekur, tashmë ka një komision parlamentar, ku të gjitha partitë janë të përfshira. Procesi, i cili do të fillojë në pak ditë do të jetë transparent, duhet të jetë gjithëpërfshirës, jo thjesht bashkitë, por shoqëria në tërësi duhet të jetë e përfshirë. Nuk duhet ta perceptojmë sikur ky është një proces që thjesht do të ndryshojë kufijtë e bashkive. Kjo do të ishte një qasje e gabuar nga të gjithë aktorët që merren me këtë problematikë, ose me këtë sfidë që kemi përpara.
Reforma territoriale duhet të bazohet në të dhëna, duhet të bazohet në eksperiencën që ne tashmë kemi, bazuar në çfarë ka ndodhur gjatë dhjetë viteve të fundit në territor. Reforma e fundit ka marrë jetë në 2015- cilat kanë qenë sfidat që bashkitë janë ballafaquar, cilat prej tyre janë ballafaquar me sukses nga bashkitë, cilat janë funksionet që bashkitë nuk kanë arritur dot t’i ofrojnë territorit. Aty duhen analizuar, nëse nuk i kanë arritur për shkak të mungesës së kapaciteteve, qoftë financiare, apo problematika të tjera.
Duhet të jemi të sinqertë dhe të ndërgjegjshëm për rëndësinë që ka kjo reformë, jo thjesht nga pikëpamja politike, por për mënyrën se si ne do të menaxhojmë territorin, për mënyrën se si qytetari do të ndërveprojë nesër me institucionet lokale, për të pasur shërbime më të mira. Po flasim për institucione, të cilat duhet të jenë gati nesër për t’u ballafaquar me sfidat që përmenda që vijnë edhe qoftë nga procesi i integrimit.
Prandaj, reforma territoriale është një hap shumë i rëndësishëm, është një sfidë jo e vogël, por është një mundësi e jashtëzakonshme, që, në qoftë se ne e përdorim ashtu siç duhet, në qoftë se të gjithë aktorët përfshihen, të kemi një reformë që shpresoj të mos zgjasë dhjetë vjet, por një reformë që zgjat edhe më shumë, sepse ne kemi bërë një kërcim shumë të madh në 2014, nga një numër jashtëzakonisht i lartë, duke marrë në konsideratë territorin që kemi në vend, kaluam në 61 bashki.
Shqipëria në njëzet vitet e fundit ka pësuar ndryshime të mëdha, qoftë demografike, dhe nuk është e vështirë për t’i kuptuar, qoftë nga analizat statistikore, por qoftë edhe trendet që ne kuptojmë, qoftë zhvillimet demografike, territori, nga pikëpamja e zhvillimit ekonomik. Të gjitha këto janë trende që duhet të merren në konsideratë në reformën territoriale, dhe ne nuk duhet ta shohim reformën territoriale duke kthyer kokën mbrapa vetëm çfarë është bërë dje, apo duke parë poshtë çfarë po bëhet sot, por duke parë përpara atë çfarë do të ndodhë në vitet që kemi përpara, dhe pse jo, edhe në dekadat që kemi përpara.
Këtu i bëj thirrje të gjithë aktorëve të jenë proaktivë në këtë proces, bashkitë, padyshim, por edhe shoqëria civile, partnerët që kemi pasur mbështetje në sfidat që kemi me pushtetin lokal, dhe kuptohet, që, kjo është një reformë që do të ndiqet politikisht në parlament, nëpërmjet komisionit të posaçëm, por edhe ministria do të luajë një rol, duke përfshirë sa më shumë aktorë në këtë proces .