Rreth Kapitullit 22

Kapitulli 22 – Politika Rajonale dhe Koordinimi i Instrumenteve Strukturore

Në Samitin e Feira në vitin 2000 dhe Samitin e Selanikut në vitin 2003, Bashkimi Evropian ka shprehur mbështetjen e vet për anëtarësimin e ardhshëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Shqipëria dhe BE nënshkruan Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit (MSA) në Qershor 2006, marrëveshje që ka shënuar një gur themeli në rrugën e Shqipërisë drejt pranimin në BE.

Në këtë proces Shqipëria ndjek zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, janë zhvilluar takimet e organeve të përbashkëta, sipas marrëveshjes, dhe vazhdon të ruajë fokusin e përgjithshëm në axhendën e reformave të BE-së, pavarësisht sfidës për të adresuar pasojat ekonomike dhe sociale të tronditjes së trefishtë të tërmetit të vitit 2019, pandemisë dhe agresionit rus kundër Ukrainës.

Shqipëria vazhdon të përmbushë të gjitha kushtet e përcaktuara në Konkluzionet e Këshillit të Marsit 2020 për Konferencën e parë Ndërqeveritare.

Më 19 Korrik 2022 u zhvillua Konferenca Ndërqeveritare për negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë. Komisioni filloi menjëherë procesin e shqyrtimit1.

Negociatat ndjekin kapitujt e acquis communautaire².

Sipas metodologjisë së rishikuar për negociatat e Anëtarësimit (Shkurt 2020), kapitujt e negociatave janë organizuar në 6 grupime tematike:

Fondamentet, tregu i brendshëm, konkurrueshmëria dhe rritja gjithëpërfshirëse, axhenda e gjelbër dhe lidhja e qëndrueshme, burimet, bujqësia, kohezioni dhe marrëdhëniet e jashtme³.

Kapitulli 22 “Politika Rajonale dhe Koordinimi i Instrumenteve Strukturore” i përket Klasterit “Burimet, bujqësia dhe kohezioni” dhe është një nga kapitujt kryesorë që vlerësohet me interes të lartë nga Qeveria e Shqipërisë, pasi përcakton kornizën për pjesëmarrjen e ardhshme të Shqipërisë në politikën e kohezionit të BE-së dhe përfitimet e mëtejshme zhvillimore nga investimet e instrumenteve strukturore të BE-së.

“Politikat Rajonale” të BE-së janë zhvilluar me qëllim që të reduktojnë pabarazitë socio-ekonomike mes Shteteve Anëtare dhe mes rajoneve brenda të njëjtit vend dhe të sigurojnë integrim socio-ekonomik dhe kohezion. Nga ana tjetër, “Koordinimi i Instrumenteve Strukturore” kërkon krijimin e strukturave institucionale dhe administrative, si dhe zbatimin e rregulloreve të përgjithshme dhe specifike që lidhen me çdo Fond Strukturor dhe me Fondin e Kohezionit, të cilët përbëjnë instrumentet financiare të BE-së për arritjen e objektivave të përcaktuara të politikave.

Acquis sipas këtij kapitulli përbëhet kryesisht nga politika kuadër dhe rregullore zbatuese, të cilat nuk kërkojnë transpozim në legjislacionin kombëtar. Ato përcaktojnë rregullat për hartimin, miratimin dhe zbatimin e programeve të Fondeve Strukturore dhe të Kohezionit që pasqyrojnë organizimin territorial të çdo vendi. Këto programe janë negociuar dhe rënë dakord me Komisionin, por zbatimi është përgjegjësi e Shteteve Anëtare.

Shtetet anëtare duhet të respektojnë legjislacionin e BE-së në përgjithësi, për shembull në fushat e prokurimit publik, konkurrencës dhe mjedisit, kur zgjedhin dhe zbatojnë projekte. Shtetet Anëtare duhet të kenë një kuadë institucional dhe kapacitet të përshtatshëm administrativ për të siguruar programimin, zbatimin, monitorimin dhe vlerësimin në një mënyrë të shëndoshë dhe me kosto efektivenga pikëpamja e menaxhimit dhe kontrollit financiar4.

 

¹Albania report 2022: https://neighbourhood-enlargement.ec.europa.eu/albania-report-2022_en

² https://neighbourhood-enlargement.ec.europa.eu/enlargement-policy/conditions-membership/chapters-acquis_en

3 https://neighbourhood-enlargement.ec.europa.eu/system/files/2022-10/eu_açession_process_clusters%20%28oct%202022%29.pdf

4https://neighbourhood-enlargement.ec.europa.eu/enlargement-policy/conditions-membership/chapters-acquis_en