Agjencia Për Mbështetjen e Vetqeverisjes Vendore

Më 15.11.2024 u prezantua Raporti mbi Treguesit e Performancës së Bashkive, një dekadë transformimi nga Reforma Administrative-Territoriale dhe një  vështrim sipas rezultateve të CENS-it 2023. Qëllimi i këtij raporti është evidentimi i bashkive sipas fushave të menaxhimit financiar dhe evolimi i tij, mirëqeverisja dhe transparenca si dhe ofrimit të shërbimeve nga bashkitë.

Bashkitë janë ofruesit kryesorë të shërbimeve në territor dhe nga viti 2015 kanë shtuar përgjegjësitë me funksione shtesë duke rritur edhe kapacitet e tyre ekonomike. Raporti paraqet rezultatet dhe evidenton progresin e bashkive, si dhe identifikon fusha ku janë të nevojshme përmirësime dhe ndryshime. Indikatorët e performancës janë përllogaritur në bazë të rezultateve të Cens-it të Popullsisë dhe Banesave 2023.

Qëllimi kryesor i këtij raporti është funksionimi i bashkive me standarde më të larta dhe të përgatitura për procesin e integrimit evropian. Një dekadë pas zbatimit të Reformës Administrative Territoriale, funksionimi dhe autonomia e bashkive në Shqipëri kanë shënuar përmirësime të ndjeshme. Shpenzimet e buxhetit vendor si përqindje e PBB-së janë rritur nga 2.4% në vitin 2015 në 3.2% në vitin 2023, ndërsa të ardhurat e veta të bashkive janë rritur me 166%, duke përbërë 51% të buxheteve totale. Investimet për frymë janë rritur me 78%, duke reflektuar në përmirësimin e shërbimeve dhe projekteve të infrastrukturës. Efikasiteti administrativ ka përfituar nga kalimi nga 373 NJVV në 61 bashki, duke ulur shpenzimet administrative me 30%. Në të njëjtën kohë, detyrimet e prapambetura janë reduktuar ndjeshëm dhe taksa e pasurisë është rritur me 60%. Reforma ka ndihmuar gjithashtu integrimin evropian, duke sjellë grante prej 46 milionë eurosh vetëm për vitin 2023. Përmirësime janë parë në transparencë, ku 91% e vendimeve të bashkive publikohen online, si dhe në përfaqësimin e grave, që zë 44% të roleve udhëheqëse. Megjithatë, sfidat mbeten në menaxhimin e burimeve natyrore, varësinë nga ndihma sociale në rajone më të pazhvilluara dhe trajnimin e stafit, ku diferencat mes bashkive të mëdha dhe të vogla janë të dukshme. Reforma ka ndikuar pozitivisht në forcimin e pushtetit vendor dhe rritjen e rolit të tij në zhvillimin ekonomik të vendit.