Agjencia Për Mbështetjen e Vetqeverisjes Vendore

Më datë 28 tetor 2026, u zhvillua mbledhja e tetë e Komisionit të Vlerësimit të Aplikimeve (KVA), me qëllim përmbylljen e procesit të vlerësimit përfundimtar të 16 treguesve të Grantit të Bazuar në Performancë (GBP) 2026.

Gjatë mbledhjes u shqyrtuan dhe u miratuan vlerësimet përfundimtare për tre treguesit e fundit:

  • Paketa e Emergjencës për Viktimat e Dhunës, e planifikuar në buxhetin e vitit 2026;
  • Plani Vendor Social;
  • Shtimi i Shërbimeve Sociale.

Një pjesë e diskutimeve iu kushtua shqyrtimit të problematikave të evidentuara gjatë procesit të vlerësimit, përfshirë trajtimin e ankesave të paraqitura nga bashkitë Prrenjas dhe Dimal për treguesin e shtimit të shërbimeve sociale. Komisioni analizoi dokumentacionin dhe bazën ligjore përkatëse, duke theksuar rëndësinë e dallimit ndërmjet mbështetjes financiare dhe krijimit të shërbimeve të reja sociale, si dhe domosdoshmërinë e dokumentimit të qartë të shërbimeve të ofruara.

Gjithashtu, u diskutuan propozime për përmirësimin e udhëzuesit të ardhshëm të GBP-së, me synim rritjen e gjithëpërfshirjes së bashkive dhe përmirësimin e procedurave të aplikimit dhe vlerësimit.

Me këtë mbledhje u përmbyll procesi i vlerësimit përfundimtar të 16 treguesve të Grantit të Bazuar në Performancë 2026, duke vijuar me përcjelljen elektronike të rezultateve përfundimtare.