Agjencia Për Mbështetjen e Vetqeverisjes Vendore

Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, z.Ervin Demo, mori pjesë në Simpoziumin III Kombëtar për Edukimin dhe Kujdesin në Fëmijërinë e Hershme (ECEC), organizuar nga UNICEF, Banka Botërore dhe Agjencia Franceze për Zhvillim (AFD). Gjatë punimeve të simpoziumit, përfaqësues të institucioneve qendrore dhe vendore, organizatave ndërkombëtare, shoqërisë civile, sektorit privat dhe ekspertë të fushës diskutuan mbi ndërtimin e një sistemi më gjithëpërfshirës, cilësor dhe të qëndrueshëm për fëmijët në të gjitha bashkitë e Shqipërisë. Në fjalën e tij, ministri Demo theksoi rëndësinë e rolit të pushtetit vendor në ofrimin e shërbimeve për fëmijët dhe familjet, duke nënvizuar se reforma administrative dhe territoriale krijon mundësi për forcimin e koordinimit ndërinstitucional, qartësimin e përgjegjësive mes institucioneve dhe fuqizimin e mëtejshëm të bashkive. Pjesëmarrësit ndanë pikëpamje mbi financimin e qëndrueshëm, llogaridhënien dhe mekanizmat e nevojshëm për garantimin e shërbimeve cilësore në fëmijërinë e hershme. Ministri Demo vlerësoi bashkëpunimin me UNICEF, Bankën Botërore, AFD dhe partnerët e tjerë, duke theksuar se investimi në fëmijërinë e hershme përbën investim në kapitalin njerëzor, zhvillimin e komuniteteve dhe të ardhmen e vendit .