Agjencia Për Mbështetjen e Vetqeverisjes Vendore

Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, z. Ervin Demo, mori pjesë në Konferencën e IX Ndërqeveritare Shqipëri–Bashkimi Evropian, të zhvilluar në Bruksel, ku u shënua një tjetër moment i rëndësishëm në procesin e integrimit evropian të vendit. Gjatë konferencës u formalizua mbyllja e negociatave për tre kapituj të tjerë të acquis të Bashkimit Evropian: Kapitulli 25 – Kërkimi Shkencor, Kapitulli 26 – Arsimi dhe Kultura, si dhe Kapitulli 31 – Marrëdhëniet me Jashtë. Ky zhvillim përfaqëson një hap të rëndësishëm në rrugëtimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe dëshmon progresin e arritur falë reformave të ndërmarra nga institucionet shqiptare. Në këtë kuadër, ministri Ervin Demo vlerësoi angazhimin e të gjitha institucioneve në përmbushjen e detyrimeve të procesit të integrimit, duke theksuar se mbyllja e çdo kapitulli është rezultat i një pune të koordinuar dhe i përkushtimit të vazhdueshëm për përafrimin e legjislacionit dhe standardeve të Shqipërisë me ato të Bashkimit Evropian. Procesi i negociatave vijon me objektivin e qartë për mbylljen e të gjithë kapitujve brenda vitit 2027, duke reflektuar ritmin e reformave, bashkëpunimin ndërinstitucional dhe besimin e partnerëve evropianë në progresin e Shqipërisë drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian .