Agjencia Për Mbështetjen e Vetqeverisjes Vendore

Më 8 shtator 2026, u zhvillua mbledhja e parë e Komisionit të Vlerësimit të Aplikimeve (KVA) për Grantin e Bazuar në Performancë (GBP) 2026, duke shënuar nisjen zyrtare të procesit të vlerësimit të bashkive. Gjatë mbledhjes u bë konstituimi i KVA-së, u prezantuan baza ligjore, procedurat dhe afatet e procesit, si dhe nisi shqyrtimi i treguesve financiarë dhe të Sistemit të Matjes së Performancës (SMP).

Në fjalën e tij, Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, z. Ervin Demo, theksoi se përmes 2.5 milionë eurove të Grantit të Bazuar në Performancë synohet të mbështeten më shumë bashkitë që arrijnë rezultate konkrete për qytetarët, me fokus te çerdhet dhe kopshtet, shërbimet sociale, pastërtia dhe rritja e përgjegjshmërisë së bashkive. Nga fondi i përgjithshëm, 2 milionë euro financohen nga Buxheti i Shtetit dhe 500 mijë euro nga partnerët zviceranë dhe suedezë.

Znj. Sabine Piccard, përfaqësuese e Zvicrës, rikonfirmoi mbështetjen për këtë mekanizëm, duke theksuar rëndësinë e një procesi vlerësimi të zhvilluar me objektivitet, konsistencë dhe transparencë, si dhe me standarde të njëjta për të gjitha bashkitë.

Në pjesën teknike, AMVV, në rolin e Sekretariatit Teknik, paraqiti rezultatet e verifikimit për tre treguesit financiarë të GBP 2026. Nga shqyrtimi rezultoi se 19 bashki përmbushën kriterin për detyrimet e prapambetura, 39 bashki kriterin e realizimit të buxhetit dhe 26 bashki kriterin e rritjes së të ardhurave nga taksa mbi pasurinë e paluajtshme.

Gjithashtu, u shqyrtua treguesi i SMP 2025, ku u konstatua se bashkitë pjesëmarrëse kishin raportuar të dhënat brenda afatit të përcaktuar dhe AMVV kishte verifikuar përputhshmërinë e raportimeve të dorëzuara. Bashki më të forta. Shërbime më të mira. Më shumë për qytetarin.