Agjencia Për Mbështetjen e Vetqeverisjes Vendore

Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, z. Ervin Demo, ishte pjesë e takimit të zhvilluar mbi modernizimin e infrastrukturës së komunikimeve elektronike në territorin e bashkive dhe përgatitjen për përthithjen sa më efikase të fondeve të Bashkimit Europian. Gjatë diskutimeve, z.Demo theksoi rëndësinë e koordinimit të ngushtë ndërmjet institucioneve qendrore, bashkive dhe operatorëve të komunikimeve elektronike për përmirësimin e standardeve në territor dhe ofrimin e shërbimeve më cilësore për qytetarët. Në fokus ishte sistemimi i kabllove ajrore dhe strukturave të improvizuara, si dhe avancimi i procesit të kalimit drejt infrastrukturës nëntokësore. Ministri nënvizoi se bashkitë kanë një rol kyç në zbatimin e këtyre proceseve, të cilat kontribuojnë jo vetëm në përmirësimin e pamjes urbane, por edhe në krijimin e kushteve më të mira për zhvillim dhe përfitimin e fondeve europiane. Më shumë standarde, më shumë bashkëpunim dhe qytete më të rregullta janë pjesë e vizionit për një pushtet vendor më të fortë dhe më pranë qytetarëve, në rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian .