Agjencia Për Mbështetjen e Vetqeverisjes Vendore

Më 15 shtator 2026 u zhvillua mbledhja e dytë e Komisionit të Vlerësimit të Aplikimeve (KVA) për Grantin e Bazuar në Performancë (GBP) 2026, me mbështetjen e Agjencisë për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore (AMVV), në cilësinë e Sekretariatit Teknik.
Mbledhja u drejtua nga z. Indri Dyrmishi, Kryetar i KVA-së, dhe u zhvillua në dy sesione, duke u fokusuar në përfundimin e vlerësimit të treguesve financiarë dhe të Sistemit të Matjes së Performancës (SMP) 2025, si dhe në vlerësimin paraprak të treguesve që lidhen me menaxhimin e ekonomisë pyjore.
Në sesionin e parë, KVA shqyrtoi vlerësimin përfundimtar të treguesve financiarë, përfshirë ankesat e paraqitura nga bashkitë, si dhe rezultatet përfundimtare të treguesit të SMP 2025. Një pjesë e rëndësishme e diskutimit iu kushtua edhe analizës krahasuese të performancës së bashkive ndërmjet GBP 2025 dhe GBP 2026.
Analiza evidentoi një rritje të rasteve të përmbushjes së treguesve financiarë: nga 50 raste në GBP 2025 në 85 raste në GBP 2026, ose rreth 70% më shumë. Sipas treguesve, në vitin 2026 rezultojnë 12 bashki më shumë që përmbushin kriterin e detyrimeve të prapambetura, 4 bashki më shumë për realizimin e buxhetit dhe 19 bashki më shumë për realizimin e të ardhurave nga taksa mbi pasurinë e paluajtshme. Në interpretimin e këtyre rezultateve u morën në konsideratë edhe ndryshimet metodologjike të aplikuara në procesin e vlerësimit.
Anëtarët e KVA-së vlerësuan rëndësinë e kësaj analize për evidentimin e ecurisë së performancës vendore dhe theksuan nevojën për komunikimin e rezultateve dhe praktikave të mira. Gjatë diskutimeve u nënvizua gjithashtu se ndikimi i plotë i Grantit të Bazuar në Performancë kërkon të vlerësohet në një perspektivë më afatgjatë, duke lidhur mbështetjen financiare me performancën, rezultatet konkrete dhe ndërhyrjet me ndikim të qëndrueshëm.
Në sesionin e dytë, Komisioni vijoi me vlerësimin paraprak të Planit të Mbarështimit të Pyjeve dhe të treguesit “% e riciklimit të të ardhurave nga ekonomia pyjore”, ky i fundit i aplikuar për herë të parë në kuadër të GBP 2026. Për Planin e Mbarështimit u shqyrtuan 24 aplikime, ndërsa u analizuan edhe raste specifike që kërkonin vlerësim të mëtejshëm nga Komisioni.
Për treguesin e riciklimit të të ardhurave nga ekonomia pyjore, të dhënat e raportuara nga bashkitë u krahasuan me të dhënat e Ministrisë së Mjedisit dhe Agjencisë Kombëtare të Pyjeve. Nga vlerësimi paraprak rezultoi se 9 bashki përmbushin kriterin, prej të cilave 7 tejkalojnë nivelin 100%, ndërsa 2 rezultojnë pranë pragut të përcaktuar.
Procesi i vlerësimit për GBP 2026 do të vijojë sipas procedurave dhe afateve të përcaktuara, me shqyrtimin e ankimimeve për vlerësimet paraprake, nëse do të paraqiten, duke garantuar një proces të bazuar në kritere të qarta dhe të njëjta për të gjitha bashkitë.
Granti i Bazuar në Performancë synon të nxisë përmirësimin e performancës së bashkive dhe orientimin e mbështetjes financiare drejt rezultateve konkrete dhe shërbimeve më të mira në nivel vendor.