Agjencia Për Mbështetjen e Vetqeverisjes Vendore

Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, z. Ervin Demo, zhvilloi aktivitetin në Bazën Ajrore të Farkë, kushtuar forcimit të kapaciteteve të sistemit të Mbrojtjes Civile, në prag të sezonit të zjarreve, me pjesëmarrjen e Kryeministrit Edi Rama, Ministrit të Shtetit për Pushtetin Vendor Ervin Demo, Ministrit të Brendshëm Besfort Lamallari, Ministrit të Mbrojtjes Ermal Nufi, drejtuesve të bashkive, përfaqësuesve të Forcave të Armatosura, Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile dhe partnerëve të organizatës Firefighters Without Borders Canada.

Në fjalën e tij, Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, z. Ervin Demo, theksoi se ndryshimet klimatike dhe rritja e rrezikut nga zjarret kërkojnë një qasje të re, të mbështetur te parandalimi, gatishmëria dhe koordinimi ndërinstitucional. Momentet e vështira tregojnë forcën e institucioneve: aftësinë për të reaguar dhe, mbi të gjitha, për t’u përgatitur. Mbrojtja civile moderne mbështetet në parandalim, gatishmëri dhe koordinim

U nënvizua se zhvillimet e fundit në Europë tregojnë qartë se zjarret nuk janë më fenomene të izoluara, por pasojë e një realiteti të ri klimatik që kërkon institucione më të përgatitura dhe bashkëpunim më të fortë mes të gjitha strukturave përgjegjëse.

Duke u ndalur te roli i pushtetit vendor, Shërbimi i Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit është përgjegjësi e bashkive dhe se zjarrfikësit përbëjnë linjën e parë të reagimit në terren. Investimi në kapacitete, trajnim, logjistikë dhe koordinim përkthehet drejtpërdrejt në më shumë siguri për qytetarët.

Gjithashtu u vlerësua kontributi i organizatës Firefighters Without Borders Canada për trajnimet dhe shkëmbimin e eksperiencave profesionale, si dhe mbështetja me pajisje që rrit gatishmërinë operacionale të bashkive.

Në fjalën e tij, Kryeministri, z. Edi Rama vuri në dukje se situata e zjarreve në Francë dhe Spanjë është një tregues i qartë i sfidave që sjell ndryshimi i klimës, duke theksuar se pyetja nuk është më nëse këto situata mund të ndodhin edhe në Shqipëri, por sa të përgatitur jemi për t’u përballur me to. U nënvizua se qeveria ka punuar për forcimin e koordinimit mes pushtetit qendror dhe vendor, rritjen e kapaciteteve teknologjike dhe modernizimin e sistemit të mbrojtjes civile, duke vendosur në qendër të këtij sistemi njerëzit që shërbejnë çdo ditë në terren.

Gjatë aktivitetit u prezantua gjithashtu mbështetja me pajisje për strukturat e Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit, si pjesë e përpjekjeve për rritjen e kapaciteteve operacionale të bashkive. U vu në pah edhe rëndësia e bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë në zhvillimin profesional të efektivëve dhe përmirësimin e standardeve të reagimit ndaj emergjencave.