Agjencia Për Mbështetjen e Vetqeverisjes Vendore

Në kuadër të angazhimit të vazhdueshëm për avancimin e procesit të Integrimit Evropian, u zhvillua Takimi i 16-të i Nënkomitetit të Transportit, Energjisë, Mjedisit dhe Zhvillimit Rajonal, me pjesëmarrjen e Z. Arbjan Mazniku, Ministër i Shtetit për Pushtetin Vendor, përfaqësuesve të institucioneve shtetërore shqiptare si dhe të Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri.

Në sesionin mbi Zhvillimin Rajonal dhe Koordinimin e Instrumentave Strukturore (DG REGIO), në fokus të diskutimeve ishte progresi në zbatimin e politikave të zhvillimit rajonal, në funksion të përgatitjeve për hapjen e negociatave për Kapitullin 22 – Politika Rajonale dhe Koordinimi i Instrumenteve Strukturore. Diskutimi nisi me çështjen e miratimit të Strategjisë Kombëtare dhe Planit të Veprimit për Zhvillimin Rajonal dhe Kohezionin 2021–2027.

Zhvillimi institucional u trajtua si një komponent thelbësor për zbatimin efektiv të politikave rajonale dhe përmbushjen e kritereve të Kapitullit 22, me theks të veçantë në forcimin e kapaciteteve administrative, forcimin e qeverisjes në shumë nivele, si dhe krijimin e politikave të qëndrueshmërisë së burimeve njerëzore (retention policy).

Gjithashtu u diskutua përditësimi i Udhërrëfyesit për ngritjen e strukturave kombëtare për menaxhimin e fondeve të BE-së, integrimi i listës së vetme të projekteve në sistemin kombëtar të investimeve, si dhe përvoja nga zbatimi i IPA I dhe IPA II, veçanërisht në modelin e menaxhimit indirekt (IMBC).

Në përmbyllje, u analizua situata aktuale e zbatimit të programeve të bashkëpunimit territorial për periudhat 2014–2020 dhe 2021–2027 duke u theksuar rëndësia e forcimit të mëtejshëm të angazhimit të Shqipërisë në programet ndërkufitare dhe ndërrajonale, si pjesë e procesit të konvergjencës me politikat e Bashkimit Evropian.