Agjencia Për Mbështetjen e Vetqeverisjes Vendore

Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, i përfaqësuar nga Agjencia për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore mori pjesë në mbledhjen e pestë të Komitetit Drejtues, me pjesëmarrës, Agjencinë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), Ministrinë e Financave, Ministrinë e Shëndetësisë, Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit, Ministrinë e Shëndetësisë, Shkollën Shqiptare të Administratës Publike, Shoqata Kombëtare e Bashkive të Shqipërisë, SHKBSH, kryetarët e bashkive dhe këshillat bashkiakë.

Në fjalën e tij përshëndetëse, në emër të Ministrit të Shtetit për Pushtetin Vendor, Drejtori i Përgjithshëm i Komanduar i AMVV, z. Stiljan Llavdaniti, vuri në dukje bashkëpunimin e suksesshëm të deritanishëm dhe përkushtimin e Projektit BtF për arritjen e objektivave të përbashkëta që synojnë forcimin e vetëqeverisjes veendore dhe përmirësimin e shërbimeve për qytetarët.

Z. Llavdaniti u ndal në tre çështje kryesore:

  • Sistemi i Matjes së Performancës, që mat performancën e pushtetit vendor dhe që synon vendimmarrjen e bazuar në të dhëna;
  • Granti i Performancës, si një instrument nxitës në përmirësimin e performancës së NJVV-ve, i bashkëfinancuar nga Qeveria Shqiptare, Qeveria e Konfederatës Zvicerane dhe Qeveria e Suedisë;
  • Krijimi i Akademisë së Pushtetit Vendor për trajnimin e vazhdueshëm të qeverisjes vendore për trajnime të vazhdueshme të burimeve njerëzore në nivel vendor.

Në fjalën e saj përshëndetëse, Znj. Sabine Piccard, Përgjegjëse e fushave të Qeverisjes dhe Shëndetësisë, Ambasada e Zvicrës, theksoi përgatitjen nga SDC të strategjisë së vendit dhe nevojën për të forcuar aktorët e sistemit dhe për të kapitalizuar përvojën e projektit, veçanërisht në drejtim të vendosjes së projektit në mënyrë strategjike në asistencë për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE, ku qeveria vendore luan një rol të rëndësishëm.

Z. Erik Illes, Shefi i Zhvillimit dhe Bashkëpunimit, Ambasada e Suedisë, vuri në dukje se shumë donatorë po rrisin fondet për vendet në zhvillim dhe se është e nevojshme të përshtatet ndihma në drejtim të qëndrueshmërisë, koordinimit dhe përfshirjes. Ai përshkroi shkurtimisht shembullin e asistencës në menaxhimin e mbetjeve në bashkinë Berat dhe koordinimin institucional me BtF për Akademinë e Pushtetit Vendor.

Në këtë takim u realizua një prezantim mbi Grantin e Bazuar në Performancë dhe Sistemin e Matjes së Performancës së bashkive nga Znj. Olta Caca, Drejtor Drejtorie i Statistikave dhe Performancës,  AMMV. Prezantimi ishte interaktiv me diskutime dhe pyetje nga pjesëmarrësit.

Ky takim konfirmoi angazhimin e përbashkët për të forcuar kapacitetet vendore, për të rritur cilësinë e shërbimeve ndaj qytetarëve dhe për të kontribuar në procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.