Agjencia Për Mbështetjen e Vetqeverisjes Vendore

Tirana u bë qendra e diskutimeve mbi inovacionin, digjitalizimin dhe qeverisjen e hapur, nga data 10 deri më 13 mars 2025, në kuadër të French-Albanian Green AI Week..  Ky event, pjesë e projektit French-Albanian Digital Roadmap , mblodhi së bashku përfaqësues të lartë të qeverisë Shqiptare dhe Franceze.

Në hapjen e aktivitetit, u zhvillua pritja në Ambasadën Franceze  mes aktorëve kryesorë të sektorit publik dhe privat, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit dypalësh në fushën e teknologjisë dhe inovacionit.

Në ditën e dytë, takimi në Kryeministri solli në vëmendje ambiciet e Shqipërisë për t’u pozicionuar si një lider rajonal në qeverisjen e bazuar në të dhëna të hapura dhe transformimin digjital. Përfaqësues të qeverisë shqiptare dhe franceze ndanë vizionin e tyre mbi rëndësinë e Open Data në forcimin e transparencës, përmirësimin e shërbimeve publike dhe nxitjen e inovacionit.

Në vijim të aktivitetit, diskutimet teknike u fokusuan në rolin e inteligjencës artificiale, strategjitë për Open Data dhe zhvillimin e infrastrukturës digjitale. U shqyrtuan mënyrat se si inteligjenca artificiale mund të përdoret për përmirësimin e proceseve qeveritare dhe rritjen e efikasitetit në sektorin privat.

Agjencia për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore, punon ngushtë me Ministrinë e Shtetit për Pushtetin Vendor për të fuqizuar administratën vendore dhe për të mbështetur zhvillimin e politikave publike të bazuara në të dhëna të sakta dhe të aksesueshme. Znj. Olta Caca mbajti fjalimin e saj duke theksuar se AMVV luan një rol kyç si një institucion që mundëson dhe nxit transparencën, llogaridhënien dhe eficiencën e pushtetit vendor duke përfshire disa aspekte kyçe, si ndihmën teknike dhe trajnimin e administratës lokale, monitorimin dhe vlerësimin e performancës së qeverisjes vendore. Një shembull konkret që u prezantua është projekti i përbashkët Open dat’Alb me kompaninë Franceze Spalliani, një iniciativë për të zhvilluar një platformë përmes përdorimit të të dhënave të hapura dhe analizës së të dhënave. Ky projekt synon të përdorë Big Data dhe analizën e të dhënave për të përmirësuar vendimmarrjen dhe transparencën në nivel lokal, duke krijuar mundësi për zhvillimin e shërbimeve publike dhe politikave më efektive.

Në nivel lokal, do të ndërrmeren nisma të rëndësishme të bazuara në të dhëna si:

  • Bashkëpunimi me Universitetin e Tiranës për studime mbi zhvillimin ekonomik,

  • Krijimi i zyrave të të dhënave në bashkëpunim me INSTAT

  • Partneriteti me Universitetin e Harvardit për analizimin e politikave territorial.

Ditët e fundit të eventit u fokusuan në takime institucionale dhe takime mes kompanive Shqipëtare dhe Franceze, duke krijuar ura të reja bashkëpunimi në fushën e teknologjisë dhe digjitalizimit.

Java e French-Albanian Green AI Week shënoi një hap të rëndësishëm në rrugën e Shqipërisë drejt një ekonomie digjitale të hapur, transparente dhe inovative, duke e pozicionuar vendin si një qendër të rëndësishme rajonale për zhvillimin teknologjik dhe qeverisjen e bazuar në të dhëna.