Agjencia Për Mbështetjen e Vetqeverisjes Vendore

Projekti Bashki te Forta (BtF) organizoi sot takimin e radhës me Komitetin Drejtues, në përbërje të të cilit janë Ministër i Shtetit për Pushtetin Vendor, Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), Agjencia Suedeze për Zhvillim (SIDA), Agjencia për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore (AMVV), Ministria e Financave, Ministria e Arsimit, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, ASPA – Shkolla Shqipëtare e Administratës Publike, Shoqata për Autonomi Vendore, Shoqata e Qarqeve të Shqipërisë, kryetarë bashkie dhe këshillash bashkiakë.

Në fjalën e tij përshëndetëse, Ministër i Shtetit për Pushtetin Vendor, vuri në pah bashkëpunimin e suksesshëm të deritanishëm dhe angazhimin e “Projektit BtF” për arritjen e objektivave të përbashkëta që synojnë forcimin e vetëqeverisjes vendore dhe përmirësimin e shërbimeve për qytetarët.  Pikat kryesore të diskutuara lidheshin me çështjet kryesore prioritare të qeverisë qendrore për vitin 2025, arritjet për vitin 2024 dhe prezantimi i planit të punës për vitin 2025. Ky prezantim u pasua nga një tjetër prezantim nga AMVV lidhur me grantin e performancës, kriteret, afatet, etj.

Bashki të Forta eshtë nje projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim SDC dhe i Qeverisë së Suedisë, i zbatuar nga Helvetas. Projekti ka si synim kryesor që qytetarët shqiptarë të përfitojnë nga përmirësimi i qeverisjes dhe i shërbimeve në nivel vendor sipas standardeve minimale dhe të përballueshme të miratuara për një sistem të qëndrueshëm në vend. SDC dhe Qeveria e Suedisë mbështesin proceset githëpërfshirëse dhe fuqizimin e aktorëve të sistemit për një qeverisje vendore të përgjegjshme dhe në shërbim të qytetarëve.