Agjencia Për Mbështetjen e Vetqeverisjes Vendore

Një dekadë pas implementimit të Reformës Administrative Territoriale, bashkitë kanë arritur përparime të rëndësishme në forcimin e autonomisë së tyre financiare dhe në rritjen e rolit të tyre në zhvillimin ekonomik. Të ardhurat e veta për frymë janë rritur ndjeshëm, duke kaluar nga 4,634 lekë në vitin 2015 në 14,527 lekë në vitin 2023, ndërsa investimet për frymë janë rritur me 78%. Ky progres është një reflektim i përpjekjeve të vazhdueshme për përmirësimin e menaxhimit financiar dhe optimizimin e burimeve.

Për më tepër, me zbatimin e metodologjisë së re për matjen e performancës dhe mbështetjes së granteve të bazuara në këtë performancë, kemi hapur mundësi të reja për përmirësimin e mëtejshëm të standardeve të qeverisjes vendore. Kjo ka kontribuar në rritjen e efikasitetit të shërbimeve publike dhe ka ofruar mundësi të reja për të rritur cilësinë e shërbimeve për qytetarët tanë, duke i afruar më shumë ata me përfitimet e një administrate të fuqizuar dhe më transparente.