Agjencia Për Mbështetjen e Vetqeverisjes Vendore

Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, z. Ervin Demo, theksoi se Paketa e Maleve nuk përfaqëson vetëm një mundësi për investime të reja, por edhe një instrument konkret për zgjerimin e sipërmarrjeve që kanë dëshmuar potencialin e tyre në krijimin e vlerës dhe zhvillimin ekonomik të zonave ku ushtrojnë aktivitetin. Sipërmarrësit që kanë konsoliduar aktivitetin e tyre në sektorët e agroturizmit, turizmit dhe agropërpunimit, dhe që, në përputhje me kuadrin ligjor, kanë përdorur prej vitesh prona shtetërore për nevojat e biznesit si posedues jopronarë, do të kenë mundësi ta zhvillojnë më tej aktivitetin e tyre përmes instrumenteve që ofron Paketa e Maleve. Në këtë kuadër, programi “Dyfisho Sipërmarrjen Tënde” krijon një mundësi shtesë financimi për këto biznese, duke mbështetur zgjerimin e kapaciteteve, realizimin e investimeve të reja dhe rritjen e aktivitetit ekonomik. Dy instrumentet plotësojnë njëri-tjetrin, duke krijuar një qasje të integruar për nxitjen e sipërmarrjes, fuqizimin e ekonomisë lokale dhe zhvillimin e qëndrueshëm të territoreve .