Agjencia Për Mbështetjen e Vetqeverisjes Vendore

Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, z. Ervin Demo, mori pjesë në prezantimin e programit “Dyfisho Sipërmarrjen Tënde”, së bashku me Kryeministrin Edi Rama, Ministren e Ekonomisë dhe Inovacionit, znj. Delina Ibrahimaj, Ministrin e Financave, z. Petrit Malaj, Ministrin e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, z. Andis Salla, Ministrin e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, z. Blendi Gonxhja, si edhe përfaqësues të sistemit bankar dhe komunitetit të biznesit. Programi “Dyfisho Sipërmarrjen Tënde” përfaqëson një instrument të ri financiar që synon të zgjerojë aksesin e ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme në financim, përmes një fondi fillestar prej 250 milionë euro, garancie sovrane deri në 70% dhe normave të interesit 2–3%, duke krijuar mundësi të reja për investime dhe zhvillim ekonomik. Gjatë panelit të diskutimit mbi financimin e sipërmarrjes dhe partneritetin publik-privat, ministri Demo theksoi rëndësinë e një roli më aktiv të bashkive në mbështetjen e biznesit lokal, jo vetëm përmes informimit dhe orientimit të sipërmarrësve, por edhe duke u bërë pjesë e ekosistemeve që nxisin investimet dhe zhvillimin ekonomik në territor. Ky vizion është pjesë e Programit Kombëtar “Rilindja 2.0”, i cili promovon konceptin e bashkive sipërmarrëse, me synimin për të afruar pushtetin vendor me sipërmarrjen, për të rritur numrin e projekteve të financueshme dhe për të krijuar më shumë mundësi zhvillimi për komunitetet lokale. Programi krijon gjithashtu mundësi konkrete për investitorët me biznese ekzistuese, përfshirë përfituesit e Paketës së Maleve, të cilët do të mund të përdorin këtë instrument financiar për të zgjeruar aktivitetin e tyre, për të rritur kapacitetet prodhuese dhe për të investuar më tej në sektorë me potencial të lartë, si turizmi, agroturizmi dhe agropërpunimi .