Agjencia Për Mbështetjen e Vetqeverisjes Vendore

Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, z. Ervin Demo, mori pjesë në prezantimin e Programit Kombëtar “Rilindja 2.0”, një nismë strategjike që synon të çojë në një nivel të ri zhvillimin urban dhe bashkëpunimin ndërmjet qeverisë qendrore dhe njësive të vetëqeverisjes vendore. Në panelin e diskutimit, së bashku me Kryeministrin e vendit z. Edi Rama, Ministren e Ekonomisë dhe Inovacionit, znj. Delina Ibrahimaj, Kryetaren e Bashkisë Durrës dhe njëkohësisht Kryetare e Shoqatës Kombëtare të Bashkive, znj. Emiriana Sako, si dhe me pjesëmarrjen e ministrave, kryetarëve të bashkive dhe drejtuesve të institucioneve kryesore, u prezantua vizioni i ri për zhvillimin vendor në funksion të Shqipërisë 2030. Programi “Rilindja 2.0” përfaqëson një qasje të re ndaj investimeve publike, duke vendosur në qendër bashkëpunimin e ngushtë ndërmjet qeverisë dhe bashkive për adresimin e sfidave strukturore të qyteteve, nxitjen e zhvillimit ekonomik lokal, fuqizimin e turizmit dhe përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve. Në këtë fazë të re zhvillimi, programi fokusohet në nevoja konkrete të komuniteteve, si modernizimi i transportit publik, krijimi i infrastrukturës së parkimit, zhvillimi i muzeve të identiteteve lokale, mbështetja e sipërmarrjes dhe startup-eve, strehimi i përballueshëm, mbrojtja e mjedisit, përmirësimi i sistemeve të ujitjes, menaxhimi i mbetjeve dhe ofrimi i shërbimeve publike sipas standardeve evropiane. I ndërtuar mbi 11 shtylla programore, “Rilindja 2.0” synon të krijojë një model të qëndrueshëm të zhvillimit urban dhe vendor, duke forcuar partneritetin ndërinstitucional dhe rolin e bashkive në përmbushjen e objektivave të zhvillimit të Shqipërisë deri në vitin 2030 .