Agjencia Për Mbështetjen e Vetqeverisjes Vendore

Në tryezën “Nga të dhënat te impakti: forcimi i llogaridhënies dhe transparencës”, të organizuar nga Faktoje.al në kuadër të programit “Bashki të Forta”, Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, z.Ervin Demo, mori pjesë në një diskutim mbi rëndësinë e transparencës, llogaridhënies dhe përdorimit të të dhënave në forcimin e qeverisjes vendore. Në panel ishin gjithashtu znj. Sabine Piccard nga Ambasada e Zvicrës në Shqipëri dhe z. Erik Illes nga Ambasada e Suedisë në Shqipëri.
Në fjalën e tij, Ministri theksoi se Sistemi i Matjes së Performancës së bashkive përbën sot një mekanizëm të rëndësishëm për vlerësimin objektiv të punës së çdo njësie të vetëqeverisjes vendore, identifikimin e fushave ku nevojiten përmirësime dhe forcimin e llogaridhënies në nivel lokal. Ky sistem është i ndërlidhur edhe me Grantin e Bazuar në Performancë, duke nxitur dhe shpërblyer bashkitë që arrijnë rezultate më të mira në qeverisje, menaxhim financiar dhe ofrimin e shërbimeve për qytetarët.
Sa më të hapura dhe të aksesueshme të jenë të dhënat, aq më e fortë bëhet transparenca institucionale dhe aq më i madh besimi i qytetarëve në qeverisjen vendore. Në këtë proces, AMVV, media dhe shoqëria civile mbeten partnerë të domosdoshëm për ta kthyer informacionin në llogaridhënie dhe llogaridhënien në zhvillim të qëndrueshëm për komunitetet vendore .