Agjencia Për Mbështetjen e Vetqeverisjes Vendore

Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, z.Ervin Demo, priti në një takim Ambasadoren e Austrisë në Shqipëri, Monika Zach, së bashku me një delegacion të përbërë nga 14 kryetarë bashkish dhe rreth 60 përfaqësues të nivelit drejtues të pushtetit vendor austriak, të kryesuar nga Presidenti i Shoqatës Austriake të Bashkive, Johannes Pressl. Gjatë takimit u zhvillua një diskutim miqësor dhe konstruktiv mbi rolin e pushtetit vendor në procesin e integrimit europian, forcimin e kapaciteteve administrative të bashkive dhe rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet njësive vendore shqiptare dhe austriake. Në fokus të bisedimeve ishte gjithashtu shkëmbimi i përvojave dhe praktikave më të mira në fushën e qeverisjes vendore, bashkëpunimit ndërbashkiak dhe përfshirjes së bashkive në proceset europiane. Përvoja e Austrisë u vlerësua si një model i rëndësishëm për Shqipërinë në kuadër të avancimit të reformave dhe përgatitjeve drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian. Takimi riafirmoi angazhimin për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ndërmjet institucioneve vendore shqiptare dhe austriake, me synim rritjen e kapaciteteve lokale dhe përmirësimin e shërbimeve për qytetarët .