Agjencia Për Mbështetjen e Vetqeverisjes Vendore

Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor z.Ervin Demo, ka bërë me dije se gjatë mbledhjes së fundit të Këshillit të Ministrave janë miratuar 9 vendime të reja në kuadër të “Paketës së Maleve”, duke e çuar në 25 numrin e bashkive që tashmë kanë zona prioritare zhvillimi për ekonominë malore.
Sipas ministrit, në total janë miratuar 205 zona prioritare në të gjithë vendin, një hap konkret drejt orientimit të investimeve, nxitjes së zhvillimit ekonomik dhe rritjes së mundësive për komunitetet lokale. Në këtë kuadër, bashkitë Vlorë, Kavajë, Durrës, Dimal, Mirditë, Berat, Himarë, Librazhd dhe Rrogozhinë i janë bashkuar kësaj harte zhvillimi, e cila synon të kthejë potencialin e zonave malore në një motor real të ekonomisë vendore. Ky zhvillim vjen në funksion të forcimit të mbështetjes për zonat malore dhe krijimit të mundësive të reja për zhvillim të qëndrueshëm në nivel lokal .