Agjencia Për Mbështetjen e Vetqeverisjes Vendore

Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, z. Ervin Demo mori pjesë në takimin e dytë dypalësh me Komitetin Evropian të Rajoneve, i cili për herë të parë u zhvillua në Tiranë.
Gjatë takimit u theksua rëndësia e këtij dialogu të konsoliduar në forcimin e rolit të pushtetit vendor në procesin e Integrimit Evropian dhe në përgatitjen e vendit për sfidat e fazës së ardhshme të negociatave.

Reforma Administrativo-Territoriale pati në fokus krijimin e kushteve për një sistem vendor më funksional dhe më efikas, si edhe:

  • Fuqizimin e bashkive;
  • Rritjen e kapaciteteve administrative;
  • Krijimin e kushteve të nevojshme për ofrimin e shërbimeve cilësore sipas standardeve të BE-së.

U theksua se bashkitë duhej të ishin të përgatitura me kapacitetet e duhura njerëzore dhe financiare për të përthithur fondet e BE-së, duke krijuar më shumë mundësi, instrumente dhe më shumë autonomi për përmbushjen e sfidave të zhvillimit lokal.

Qeveria Shqiptare rikonfirmoi angazhimin e saj për të forcuar më tej pushtetin vendor, ndërsa partneriteti me Komitetin Evropian të Rajoneve dhe institucionet e tjera Evropiane u vlerësua si më strategjik përgjatë këtij procesi.